Ismet Tara, i njohur si komandant ‘Hoxha’ është nisur për në Hagë pas ftesës së ardhur nga Specialja.
Tara me prejardhje nga Rahoveci, është përcjellur nga qytetarët e kësaj komune. Ata kishin dalur në numër jo të vogël ta përcjellnin atë para nisjes në Hagë.
Ftesa nga Specialja për Tarën ka ardhur më 20 dhjetor të vitit të kaluar. Ai do të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit.
Ish-komandant Hoxha në luftën e UÇK-së ka deklaruar se do të shkojë në Hagë pa asnjë avokat, të huaj as vendor. Ish-komandanti i UÇK-së ka thënë se ndihet krenar që ka qenë pjesë e luftës çlirimtare.
“Me 17 shkurt jam ftuar nga Gjykata Speciale në cilësinë e të akuzuarit. Nuk ndihem i mërzitur aspak për ftesën që më është bërë. Ndihem krenar që kam qenë pjesë e luftës çlirimtare. S’e kam fare këtë brengë. Brengë duhet të kenë vetëm ata që rrjedhin lot krokodili në parlament, presidentit me komandantët që e kanë votuar këtë gjykatë”, ka thënë Tara.
I njëjti ka thënë se ishte ushtari i parë në Rahovec nga UÇK-ja.
“Do të shkoj në Hagë pa asnjë avokat. Nuk më duhet asnjë avokat vendor, apo i huaj”, ka përfunduara Ismet Tara.