Sonte Kosova do të luajë ndeshjen e parë në kuadër të kualifikueseve për Kampionatin Evropian kundër Bullgarisë.
Në këtë sfidë do të jetë i ftuar special i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fatmir Vata, ish-mesfushori i Kombëtares shqiptare. Ai ka luajtur për Shqipërinë në një nga periudhat më të vështira të vendit tonë në vitet 1997-2002.
Kulmi i karrierës së tij u arrit në Bundesligën gjermane, ku luajti me Arminia Bilefeld. Ai ka folur për “Supersport” dhe ka shprehur kënaqësinë e pjesëmarrjes në këtë sfidë kaq të rëndësishme kundër Bullgarisë.
Ndjeshja e sotme? “Jam i emocionuar dhe do kisha dëshirë që këto emocione t’i shfaqja edhe në fushë. Jam me ftesë të presidentit Agim Ademi dhe shpresoj, që ashtu siç kam emrin, të sjell fat për Kosovën. Kjo është një ditë e bukur dhe festive në Kosovë dhe shpresoj të jetë pas ndeshjes e tillë. I falënderoj, ndaj edhe për këtë arsye kam dhënë ndihmesën time modeste për Federatën e Kosovës, ashtu si edhe për atë të Shqipërisë. Jam shumë krenar për ecurinë e Kosovës, që prej rreth një viti nuk ka pësuar asnjë humbje. Shpresoj që edhe sot ta nisin me një trepikësh.”
Rritja e Kosovës? “Nuk më ka befasuar aspak,sepse unë e di që në Kosovë ka shumë talent. Më ka befasuar vetëm mënyra se sa shpejt janë integruar djemtë në këtë Përfaqëusese. Respekt për ata djem dhe u urojmë fat për ndeshjen e sotme.”
Kualifikimi i Kosovës? “Futbolli është kolektiv dhe i gjithë ekipi duhet të jetë i përqendruar deri kur të mbarojë ndeshja, për të synuar suksesin. Natyrisht që ka edhe nevojë për pak fat. Mos harroni, përballë është Bullgaria, një ekip aspak i lehtë për t’u kaluar. Nuk do të jetë e lehtë, pasi ka shumë kundërshtarë të vështirë”.
Profesioni juaj? “Momentalisht jam trajner i Hanoverit, në skuadrat e moshës, ndërsa më herët kam qenë edhe te Arminia Bilefeld dhe Bohum. Me mundësitë modeste që kam, mundohem të ndihmoj të gjithë shqiptarët që të ecin sa më shumë në futbollin shqiptar.”

