Brenda tri ditëve Kosovën e kanë vizituar dy delegacione me përfaqësues të lartë politikë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Gjermania, shkruan gazeta “Zëri”.
Të shtunën e kaluar për vizitë në Prishtinë ka qëndruar ndihmëssekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit, David Hale, i cili mes tjerash ka kërkuar pezullimin e taksës ndaj mallrave serbe e boshnjake, në mënyrë që të vazhdojë dialogu me palën serbe në Bruksel, përderisa të hënën (dje) në vizitë kanë qenë dy këshilltarët politikë të kancelares gjermane Angela Merkel, Jan Hecker dhe Mathias Luttenberg.
LEXO EDHE: S’ka dialog, vetëm monolog
Në një njoftim të Qeverisë së Kosovës nuk saktësohet nëse me ta është diskutuar çështja e taksës ndaj mallrave serbe, por thuhet se me këshilltarët e kancelares është diskutuar për procesin e dialogut, për konsolidimin e brendshëm të Kosovës, si dhe për rrugën euroatlantike të vendit. Në anën tjetër analistët politikë në vend thonë se Haradinaj po ballafaqohet me kërkesë të vazhdueshme të amerikanëve për heqje të taksës, përderisa për të njëjtën masë tregtare ka mbështetje të heshtur nga gjermanët dhe nga anglezët.
Haradinaj nuk përmend taksën pas takimit me këshilltarët e Merkelit
“Bisedë e hapur me këshilltarët politikë të kancelares gjermane Angela Merkel, Jan Hecker dhe Matthias Luttenberg, për zhvillimet aktuale në vend, për procesin e dialogut me Serbinë, për konsolidimin e brendshëm të Kosovës dhe për rrugën e saj euroatlantike. Mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme të Gjermanisë në të gjitha etapat e shtetndërtimit të Kosovës. Shteti gjerman është partner i rëndësishëm ekonomik e politik i Kosovës dhe zë i fuqishëm i saj në strukturat euroatlantike”, ka shkruar kryeministri Haradinaj në një postim në rrjetin social “Facebook”.
Ndryshe nga takimi që pati në fundjavë me zëvendëssekretarin e Shtetit amerikan, David Hale, Haradinaj pas këtij takimi nuk përmendi se Gjermania ia kërkoi pezullimin e taksës ndaj produkteve serbe.
Takim me një nga pjesëtarët e këtij delegacioni pati edhe zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj, i cili ka thënë se e ka informuar Jan Heckerin për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për hapat që janë ndërmarrë nga ana e Kosovës për vazhdimin e dialogut. “E informova z. Hecker për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për hapat që kemi ndërmarrë në funksion të vazhdimit të dialogut me Serbinë. Roli dhe mbështetja e Gjermanisë dhe e aleatëve të tjerë të Kosovës në procesin e dialogut është jashtëzakonisht e rëndësishme. Viti 2019 paraqet momentum shumë të favorshëm për arritjen e një marrëveshjeje historike, e cila duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë dhe me anëtarësim të Kosovës në OKB”, ka shkruar Hoxhaj në “Facebook”.
Ai mes tjerash theksoi se roli dhe mbështetja e Gjermanisë, sikurse edhe e aleatëve të tjerë të Kosovës në procesin e dialogut është jashtëzakonisht e rëndësishme.
Haliti: Haradinaj po e mban taksën për qëllime elektorale
Në anën tjetër nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë për “Zërin” se kërkesë e vazhdueshme e PDK-së mbetet pezullimi i tarifës ndaj produkteve serbe, teksa ka theksuar se kryeministri Haradinaj po e mban atë edhe për qëllime elektorale. “Ne si PDK kemi qëndrime të kundërta me kryeministrin sa i përket çështjes së taksës 100 % ndaj produkteve serbe dhe secila palë ka justifikimet e veta. Në këtë rast kryeministri ka qëllimet e veta për mbajtjen e taksës, por ka edhe interesin elektoral për ta mbajtur taksën”, ka thënë Haliti për “Zërin”.
Ndërkohë ai ka theksuar se PDK-ja po kërkon pezullimin e taksës, për shkak të kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare, si dhe për shkak se vlerëson që një gjë e tillë është interes politik i vendit. “PDK-ja normalisht kur është vendosur taksa e ka mbështetur atë, por në sajë të qëndrimeve që ka bërë bashkësia ndërkombëtare dhe në sajë të interesit politik të vendit ne po kërkojmë që kjo taksë të pezullohet me qëllim që dialogu të vazhdojë dhe të mos realizohen dëshirat e pamundura të shtetit serb dhe të aleatit të saj”, ka theksuar ndër të tjera ai.
Salihu: Gjermania mbështet një marrëveshje përfundimtare nën kufijtë ekzistues
Kurse deputeti i PSD-së Salih Salihu për “Zërin” ka theksuar se vizitat e fundit të delegacioneve ndërkombëtare duhet parë si pozitive, teksa ka theksuar se shteti gjerman mbështet arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës e Serbisë nën kufijtë ekzistues. “Çdo kontakt me ndërkombëtarët, sidomos me gjermanët dhe me SHBA-në, është në interes të Kosovës dhe ne duhet të jemi të gatshëm që në bashkëpunim me ta t’i bashkërendisim hapat. Gjermanët janë më konsistentë në kërkesa, sepse sipas tyre nuk duhet të ketë shkëmbim të territoreve e as korrigjim të kufijve, vetëm njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe bashkëpunim e fqinjësi të mirë si dy shtete të pavarura”, ka potencuar Salihu.
Haxholli: Haradinaj ka mbështetje të heshtur nga Gjermania dhe nga Britania e Madhe për taksën
Në anën tjetër Violeta Haxholli, nga KDI-ja, vlerëson se asnjëri nga delegacionet që vizituan Kosovën, as ai i SHBA-së dhe as ai gjerman nuk e kanë lëkundur qëndrimin e kryeministrit Haradinaj për mbajtjen e taksës. Kësisoj ajo vlerëson që kryeministri ka një përkrahje të heshtur nga shteti gjerman dhe nga ai britanik për të mos e hequr taksën. “Po e shohim se pavarësisht kërkesave të SHBA-së kryeministri Ramush Haradinaj ende është i palëkundur në mbajtjen e taksës, një prej arsyeve është se ai ka gjetur përkrahje te një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare. Po shihet një përkrahje e heshtur nga Gjermania dhe nga Britania e Madhe. Pra këto dy vende nuk po bëjnë shumë presion te kryeministri Haradinaj për ta hequr taksën”, ka thënë Haxholli.
Kjo sepse, sipas saj, këto dy shtete po e shohin taksën si mundësi për të parandaluar realizimin e idesë për korrigjim të kufijve mes Kosovës e Serbisë. “Ne po shohim se kërkesa e SHBA-së për heqjen e taksës po vazhdon, ndërsa po vazhdon edhe insistimi i kryeministrit që ajo të mos largohet. Vlerësoj se arsyeja kryesore për këtë është se këto shtete (Gjermania dhe Britania e Madhe) po e shohin taksën si një mundësi për të mos u realizuar ideja e korrigjimit të kufijve që është një ide e cila ende qëndron. Pra ata po vlerësojnë se nuk duhet të shkohet në dialog derisa kjo ide vazhdon tutje dhe taksa po shihet si bllokues i këtij procesi”, ka potencuar ajo.
Ndërkohë Haxholli konsideron se pa u hequr taksa Serbia në asnjë formë nuk pranon të vazhdojë dialogu mes dy vendeve.
Delegacioni gjerman takohet edhe me Vuçiqin
Jan Heker, këshilltari më i rëndësishëm i politikës së jashtme të Angela Merkelit dhe këshilltari i saj ballkanik Matthias Luttenberg, pas vizitës që patën në Kosovë do të shkojnë edhe në Beograd. Sipas medieve serbe të dy politikanët vijnë në Beograd pas vizitës në Prishtinë dhe pritet që të kenë një takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiq me qëllim që të përpiqen t’i ulin tensionet midis Beogradit dhe Prishtinës, thekson portali serb duke iu referuar burimeve diplomatike. “Ky takim është vendimtar kur flasim për të ardhmen e dialogut dhe për marrëdhëniet e të dyja palëve”, thotë bashkëbiseduesi i “Blic”-it nga qarqet diplomatike./ZERI/