Në takimet e krerëve institucional të Kosovës, ku diskutohet për çështje të ndryshme me Serbinë, prania e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës shkon vetëm në favor të serbëve dhe jo të kosovarëve.
Kështu konsideron njohësi i çështjeve politike në vend, Nexhmendin Spahiu. Ai për “Gazeta Blic”, komentoi takimin e presidentit Hashim Thaçit dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, ku prezent në këtë takim ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Është mirë që presidenti dhe kryeministri të takohen dhe të bisedojnë çështje që janë me interes strategjik për Kosovën e sidomos në raport me Serbinë, por prezenca e Edi Ramës në takime ku diskutohen çështjen që kanë të bëjnë me Serbinë, çojnë ujin në mulli të serbëve dhe jo të Kosovës”, ka thënë Spahiu.
Ai shtoi, se kush do që e thërret kryeministrin e Shqipërisë në takime duhet ta ketë të qartë se po i bënë dëm të madh Kosovës.
“Nuk e di pse Edi Rama duhet të jetë i pranishëm në këto takime, ata që e mendojnë dhe ata që e thërrasin sigurisht që po i bëjnë një dëm të madh Kosovës”.
Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe liderët e Kosovës – Presidenti Hashim Thaçi, Kryeministri Ramush Haradinaj, Kryeparlamentari Kadri Veseli, së bashku me Zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, kanë darkuar së bashku natën e kaluar.