Bashkëkryesuesi i Ekipit Negociator, Shpend Ahmeti, ka përmendur Bashkimin Europian në një publikim të tij duke i kërkuar që ta ndërpresë heshtjen ndaj politikës së Serbisë.
Ky reagim i Shpend Ahmetit i cili është dhe i pari i Prishtinës, erdhi si koment ndaj takimit të sotëm të presidentit serb Aleksandar Vuçuq me politikanët serbë të Kosovës, njofton Klan Kosova.
Meqë Aleksandar Vuçiq iu kërkoi serbëve të Kosovës të mos përfshihen në institucionet kosovare dhe të dalin nga ushtria, Shpend Ahmeti thotë se është përvojë e cila vjen nga ajo me Bosnjën.
”BASHKIMI EVROPIAN TA NDËRPREJË HESHTJEN NDAJ POLITIKËS SË SERBISË KUNDËR SERBËVE TË KOSOVËS
Përderisa Beogradi zyrtar e ka dinamizuar aktivitetin e tij politik kundër integrimit të serbëve të Kosovës, Bashkimi Evropian vazhdon heshtjen.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi ka inkurajuar sot serbët e Kosovës të mos përfshihen në institucionet e Kosovës, si dhe të dalin nga ushtria e Kosovës e cila sipas tij “shërbimin e vetëm që mund ta kryejnë është vrasja e serbëve”. Me sa duket përvoja e tij në Bosnje dhe në Kosovë po e ridëshmon doktrinën e tij për ushtrinë, kur ushtria “jugosllave” vriste shtetasit e saj, me mbështetjen dhe bekimin politik të partisë së atëhershme të Vuçiqit. Kritika e vetme e tyre ishte se ajo nuk ishte mjaft “efikase”.
Nga ana e saj, kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq që i rikujton shqiptarëve se “jemi në shekullin XXI”, po i mungon vetëm edhe citimi i “babait të kirurgjisë serbe“, Vladan Gjorgjeviqit, për “shqiptarët me bisht”.
Po dhuna politike e Serbisë shtetërore kundër (integrimit të) serbëve të Kosovës bëhet edhe më e drejtëpëdrejtë kur Marko Gjuriqi ushtron sot presion të drejtëpëdrejtë shtetëror ndaj ministres së re të Kosovës për Bujqësi, Dijana Zhiviq, me gjuhën e njëjtë të Millosheviqit, që “bashkëpunimi i serbëve me institucionet e Kosovës qenka veprim kundër interesave të kombit serb”.
Përsëri asnjë reagim nga Brukseli.
Emërimi i Dijana Zhiviqit, si grua dhe si pjesëtare e komunitetit serb të Kosovës, është për t’u përshëndetur. Ajo, si dhe çdo qytetar që dëshiron të jetojë në paqe dhe të bashkëjetojë në harmoni me qytetarët e përkatësive të ndryshme etnike në Kosovë duhet të mbrohet nga institucionet dhe shoqëria jonë kundër presioneve të qeveritarëve të Serbisë.
Ministrja e re e Bujqësisë e Republikës së Kosovës duhet të mbrohet nga Qeveria e Serbisë dhe të gjykohet vetëm se mbi performansën e politikat e saj në sektorin e bujqësisë”.