Kryesuesit e pesë njësive administrative që përfaqësojnë serbët nga e gjithë Kosova janë mbledhur sot në veriun e Mitrovicës, për të diskutuar rreth situatës politike dhe sigurisë në Kosovë, duke shprehur shqetësimin e tyre për vendimet e Prishtinës lidhur me taksën dhe miratimin e Statutit të Trepçës.
Këto veprime i kanë cilësuar si ilegale dhe si nxitje për dhunë.
Në një komunikatë të lëshuar për media, thuhet se uniteti politik i serbëve të Kosovës në këto momente është përgjigja më e mirë kundër një serie provokimesh që po vijnë nga Prishtina.
Udhëheqësit e këtyre njësive administrative kanë bërë thirrje për unitet, duke shtuar se çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën nuk duhen shfrytëzuar për poenë politikë, pasi sipas tyre prioriteti kryesor është kombi, shkruan ‘Novosti’, transmeton Gazeta Express.
Në këtë takim i është dhënë mbështetje e plotë presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Ky takim është drejtuar nga udhëheqësi i serbëve të Pejës, Vinko Radosvaleviq, Srdan Petkoviq, Radovan Stojkoviq, përfaqësuesi i serbëve të Mitrovicës, Vaso Jeliq, dhe ai Prizrenit, Jovica Buduriq.
Ditë më parë edhe kryeministrja serbe, Ana Brnabiq ka thënë se këto vendime të njëanshme të Prishtinës janë në kundërshtim edhe me politikën e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.