Nënkryetari dhe deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka thënë se taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake nuk do të hiqet gjatë javës. Ka thënë se një veprim i tillë s’do të merret as të hënën e as të martën. Kushti i Ramush Haradinajt për heqjen e taksës është njohja e Kosovës nga Serbia.
Zyrtarët e AAK’së janë të bindur se nuk do të ketë vendim të shpejtë të Qeverisë për heqjen e taksës ndaj produkteve serbe e boshnjake pavarësisht kërkesave të ndërkombëtareve për ta bërë një gjë të tillë.
Nënkryetari i AAK’së, Muharrem Nitaj, ka thënë ka konsensus që mos të hiqet taksa. Kundër një veprimi të tillë është edhe Ramush Haradinaj, i cili ka kushtëzuar heqjen e taksës me njohjen e Kosovës nga Serbia.
“Nuk ka kurrfarë vendimi as për të hënën as për të martën, vendimi i taksës është i qeverisë dhe i kryeministrit. Unë personalisht mendoj që vendimi ka qenë i drejt dhe Kosova duhet të jetë konsistente në mos pezullimin e heqjes së takës”, ka thënë Nitaj.
Edhe kësaj radhe, Nitaj ka thënë se taksa nuk mund të shihet si acarim me ndërkombëtaret dhe as me amerikanët.
“Ata i kemi partner e miq të pakapërcyeshëm. Unë shpresoj që ata do të kenë më shumë mirëkuptim për insistimin tonë që të mos hiqet taksa”, ka shtuar ai.