Kryeministrja britanike, Theresa May, është shprehur e vendosur ta dorëzojë marrëveshjen e Brexit në kohë, kjo para bisedimeve për bllokadën me irlandezët, transmeton Gazeta Metro.
May ka bërë të ditur se do të kthehet në Bruksel me një mandat të ri, ide të reja dhe vendosmëri të përtrirë.
Në anën tjetër, deputetët e parlamentit britanik kanë votuar për të kërkuar një marrëveshje alternative, përmes së cilës garantohet që kufiri i Irlandës së Veriut të mbetet i hapur pas Brexit, raporton BBC.
Sidoqoftë, zëvëndëskryeministri irlandez ka thënë se nuk ka ndonjë marrëveshje alternative të besueshme.
‘BE nuk do të rinegociojë marrëveshjen e tërheqjes dhe nuk do të ketë marrëveshje për tërheqje pa kthim mbrapa’, ka thënë ai.
Kujtojmë se më 15 janar May pësoi humbjen më të rëndë parlamentare të çdo kryeministri të mëparshëm në epokën demokratike, kjo pasi deputet hodhën poshtë marrëveshjen e Brexit, me një shumicë prej 230 votash./gazetametro.net