Të gjitha ato pika shitëse të cilat nuk e respektojnë ligjin e vendosur nga Ministria e Infrastrukturës për vënien e flamurit adekuat me origjinën e atij produkti, do të merren masa.
Kështu ka thënë sot në konferencë për media Ministri i Infrastrukturës, Endrit Shala.
Ministri Shala ka bërë të ditur që nga sot ka kërkuar nga Inspektorati që në përpikëmëri të shikohet se sa është duke u zbatuar ky ligj nga shitësit.
“Nga sot kam kërkuar nga Inspektorati i Ministrisë së Industrisë dhe inspektimet shtesë në këtë rast nga sot do të vazhdojmë me inspektime me qëllim që ta shohim deri ku dhe sa është duke u zbatuar ligji për mbrojtjen e konsumatorit, respektivisht neni i cili përcakton vënien e flamujve afër produktit të origjinës të atij produkti”, ka thënë Shala, përcjell Insajderi.
Ministri ka paralajmëruar se Inspektorati nuk do të jetë më tolerant ndaj atyre që tentojnë të mashtrojnë, duke vendosur flamuj në produktet që nuk i përkasin atij shteti.
“Kërkojë nga të gjithë pronarët e pikave shitëse që t’i përmbahen kësaj kërkese me përpikëmëri dhe njëkohësisht mos të lejohet manipulime të cilat janë duke u krijuar në disa produkte, ku një produkti që prodhohet në një vend tjetër i vendoset flamur tjetër. Inspektorati nuk do të jetë më tolerant ndaj asnjë subjekti, çdo pikë shitëse e cila vërtetohet se nuk është duke e zbatuar këtë ligj, inspektorati do të merr masa siç është paraparë me ligj”, ka shpjeguar ai.
Ky nen i këtij ligji për vënien e flamujve në produktet që i takojnë atij shtet është vendosur 29 dhjetor të vitit të kaluar, ministri ka shpjeguar se ka pasur tolerime për shkak të festave të fundvitit, por tani më nuk do të ketë, rrjedhimisht do të ketë dënime./Insajderi.com