Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka reaguar ashpër pas deklarimeve të presidentit Thaçi të bëra dje në SHBA për korrigjim të kufirit.
Aliu thotë se varësisht nga vendi ku gjendet, Hashim Thaçi, Luginës së Preshevës i referohet ndryshe.
“E para, Luginës së Preshevës, Kosovës Lindore, presidenti Thaçi i thotë “jug i Serbisë”. Pra, bëhet fjalë për dy njerëz me emrin Hashim Thaçi. Njëri është ai që i thërret përfaqësuesit e Luginës para medieve në Prishtinë dhe tjetër person është ai Hashim Thaçi në Uashington, D.C.! Mashtrim açik dhe i pështirë”, ka shkruar Aliu në profilin e tij.
Sa u përket deklarimeve për korrigjime të kufirit si çmim që duhet ta paguajë Kosova për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë, Aliu thotë se është e tmerrshme që Thaçi lëshon pe karshi Serbisë para se të fillojnë negociatat dhe nuk i kërkon borxhet që Serbia ia ka Kosovës.
“E dyta, ky president i lëshon pe Serbisë ende pa filluar negociatat. Dhe, në vend se të kërkojë borxhin që na e ka Serbia, ai flet për çmime që duhet të paguajë Kosova. E tmerrshme”, ka shtuar deputeti i VV-së.