Zëdhënësi i Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Richard Mei, ka thënë për “Zërin” se vizita e gjeneralit Timothy Orr për festën e Pavarësisë është anuluar për shkak të mospezullimit të taksës për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnja. Ai nuk jep detaje sesi do të veprohet për vizitat e ardhshme ose trajnimet e planifikuara për FSK-në. Përndryshe, më 14 dhjetor 2018 Kosova formoi Ushtrinë e saj falë mbështetjes së Amerikës, derisa shumë shtete anëtare të NATO-s ishin kundër, shkruan Gazeta “Zëri”.
Anulimi i vizitës së gjeneralit amerikan sipas deputetit të LDK-së Naser Rugovës është tejet shqetësues.
Ndaj sipas tij LDK-ja kërkon që Qeveria t’i thërrasë mendjes, të ulet me gjakftohtësi t’i analizojë të gjitha veprimet pasi Kosovës, siç ai ka deklaruar, nuk i nevojitet asnjë vendim populist nëse i zbeh marrëdhëniet me SHBA-në.
“Anulimi i vizitave të nivelit të tillë të lartë, i vizitave zyrtare, nga komandanti i Gardës së IOWA-së dhe paralajmërimet se Amerika do t’i refuzojë ndihmat për Ushtrinë e Kosovës janë më tepër se shqetësuese”, ka thënë Tugova për “Zërin”.
Pa pasur arsye të forta, sipas tij, SHBA-ja nuk dërgon të tilla ultimatume. Ndaj Rugova ka thënë se kokëfortësia e Qeverisë për të mos ndërruar qëndrim rreth taksës është alarmuese, veçmas kur kihet parasysh mbështetja që SHBA-ja ia ka bërë formimit të Ushtrisë.
Pavarësisht tij, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu ka vlerësuar se marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në janë të forta dhe nuk mund të prishen për shkak të taksës. Së këndejmi, siç ajo është shprehur, tarifa nuk duhet të hiqet ani pse vendi duhet të shkojë në zgjedhje.
“Ne jemi që taksa të mbetet, ndërsa duhet të shkojë Haradinaj dhe vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme. Nuk i kuptojmë qëndrimet ose presionet për heqje të taksës”, ka potencuar deputetja e LVV-së. /ZERI