Kryetari i Lëvizjës Vetëvendosjës, Albin Kurti sot ka vizituar studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale në Tiranë, të cilët po bojkotojnë mësimin në kuadër të protestave për shfuqizimin e ligjit për arsimin e lartë, transmeton Gazeta Metro,
Kurti ka mbeshtetur fuqishëm studentët, ai u tha studentëve se fitorja vjen nga qëndresa dhe për t’i motivuar më tepër ai e tregoi edhe historinë e tij se si ka filluar të merrej me politikë.
“Fitoret edhe në politikë edhe në shoqëri vijnë nga qëndresa. Është e vërtetë që në aspektin e angazhimit tim politik kam filluar me protesta studentore. Në vitet ’90 në Kosovë ndodheshim në okupimin e Serbisë, e cila kishte hequr nga puna të gjithë shqiptarët. Universiteti i Prishtinës zhvillonte mësimet në shtëpi private, por në 1997 filluam protestat. Studentët kanë të drejtë, pothuajse cdo herë dhe cdo kund, por edhe kur mësimdhënësit janë me ata kanë më shumë të drejtë.
Kreu i Lëvizjës Vetëvendosje tha se protesta është kundër skemës politike shqiptare dhe që shërben për transformimin e shoqërisë shqiptare.
“Kundërshtimin e studentëve e shoh edhe kundër kësaj skeme politike. Në trojet shqiptare kemi skema politike të ndërthurura që mirëmbajnë njëri tjetrin dhe protesta e studentëve është kundër privilegjeve që ekzistojnë jo vetëm në arsim, por edhe për nevojën që shoqëria shqiptare të kalojë në një transformim të ri, që është edhe me idenë kombëtare edhe atë Europiane.”
Kurti bëri ftesë për arsim falas dhe këtë e premtoi që do ta bëj sapo të vijë në pushtet në Kosovë.
“Është e rëndësishme që të keni organizimin tuaj, jo ta ndërtoni përfaqësimin që të dialogoni me përfaqësuesit politikë, por të keni vendgrumbullimet e përbashkëta. Me qeverisjen e Vetëvendosjes nesër në Kosovë arsimi publik do të jetë falas. nuk mund të lejojmë që fëmijët dhe të rinjtë të kenë perspektivë të errët për shkak se nuk kishin mundësi në fillim të jetës së tyre” deklaroi Albin Kurti.
Albin Kurti u shpreh se në Shqipëri dhe në Kosovë ka ardhur koha për një pranverë shqiptare nisur nga konteksti politik në rajon. “Serbia është e interesuar që ta ndajë Kosovën që të vijojë duke ndarë Bosnjën, ajo synon që të realizojë Serbinë e Madhe përmes ndarjes së fqinjëve. Kosova nuk ka as 5% serbë, ndërsa Serbia ka 20% pakica, por për Serbinë nuk flitet, por vetëm që të ndahet Kosova.
E gjitha filloi në mesin e 2018 kur Thaci paralajmëroi kompromis të dhimbshëm. Korrigjimi nëse është korrigjim i një gabimi duhet të na kënaqë jo të na dhembë, atëherë cfarë korrigjimi është ky? Ka pasur bisedime sekrete me Vucic për të ndarë Kosovën, duke e maskuar si shkëmbim territorial, apo integrimin në BE apo OKB, si karrem për të futur edhe Serbinë në lojë.
Kosova ka të drejtë të bashkohet me Shqipërinë, por jo duke u tkurrur. Kjo është e papranueshme, e padrejtë dhe anti kombëtare. Ka ardhur koha për një pranverë shqiptare edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, pasi edhe kemi mbetur në fund të vendeve europiane edhe po shtohet rreziqet nga fqinjët grabitqarë, prandaj duhet të kemi një rikthim te populli, pasi institucionet nuk janë në nivelin që na kërkon realiteti” përfundoi Albin Kurti./gazetametro.net