Në një bashkëbisedim me qytetarët, i pari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se Ekipi Negociator i Kosovës me Serbinë nuk është asgjë tjetër vetëm zëvendësim i ekipit të, siç ai e quajti, ish-ministres pa portofol, Edita Tahirit, raporton Gazeta Blic.
Kurti tha se ky ekip paraqet vazalitet ndaj Thaçit si vazal ndaj Serbisë.
“Ky i ashtuquajturi delegacioni shtetërorë të cilin e kanë sajuar në natën e 15 dhjetorit praktikisht e zëvendëson ekipin e zonjës Edita Tahiri. Ky ekip paraqet vazalitet ndaj Thaçit si vazal ndaj Serbisë”, tha Kurti.
Sipas tij, në bisedimet me Serbinë ku për 6 vite në krye të tyre ishte presidenti Thaçi, deri më tani nuk është arritur asnjë marrëveshje.
“Në bisedimet nuk janë për kurrfarë marrëveshje finale sepse po thonë që është një kompromis i dhimbshëm. Serbia merr përherë atë që mundet dhe mbetet e pa kënaqur”
“Në krye të këtyre bisedimeve sekrete ndodhet Thaçi, nga viti 2011 deri në vitin 2017 dhe gjatë atij dialogu as nuk u shpërbënë strukturat e Serbisë as nuk u zgjidh çështja e të pagjeturve” u shpreh ai.
Gjatë këtij bashkëbisedimi Kurti tha se Kosova ka dy armiq kryesorë, raporton Gazeta Blic
“Populli është me opozitën VV-në LDK-në e Alternativën. Prandaj ajo që duam ne është se duam ta theksojmë se Kosova ka dy armiq. Korrupsionin brenda dhe Serbinë jashtë. Ne nuk duhet tu nënshtrohemi asnjërit prej tyre dhe as pazareve të tyre”tha ai.
Përveç kësaj, Kurti ka paraqitur edhe katër kërkesa që sipas tij, duhet t’i bëhen Serbisë.
“Serbisë duhet t’i bëjmë këto kërkesa: Njohje të Kosovës, dëmshpërblim për dëmet e luftës, reciprocitet për serbët në Kosovë dhe shqiptarët në Luginës dhe dialog (për serbët e Kosovës) për integrim të qëndrueshëm” tha ndër tjerash ai./Gazeta Blic