Shumë njereëz iu gëzuan miratimit nga Kuvendi të buxhetit për vitin 2019 dhe Projektligjit për pagat.
Rritja e pagave përmes Ligjit për Pagat do t’i kushtojë qeverisë rreth 120 milion euro dhe thuhet se mjekët tanë tani kanë pagat më të larta në rajon, njofton Klan Kosova.
E lidhur me krejt këto zhvillime të këtij fillim viti ka reaguar ashpër, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Ai nëpërmjet një statusi në Facebook, ka thumbuar klasën politike pasi sipas tij ata nuk merren me buxhetin por me votat.
Ky është postimi i plotë i Isa Mustafës:
Të nderuar qytetarë,
Po trumbetohet se kjo qeveri u tregua e guximshme në rritjen e pagave përmes Ligjit për Pagat, me një kosto të re prej rreth 120 milion euro. Thuhet se arsimtarët tanë dhe mjekët do të marrrin pagat më të larta në regjion, se shërbyesit civil mund të krahasohen me ata të vendeve evropiane sa u përket pagave. Për këtë flet Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Shefi i GP të PDK-së, zëdhënësi I Qeverisë, Ministri i Shëndetësisë… Flasin të gjithë ata që s’merren vesh me buxhetin dhe ekonominë. Flasin për vota.
Sipas kësaj bie se jemi më të zotët, më të diturit, më të mirët! Të tjerët në regjion, që janë më të zhvilluar sesa ne, nuk po dinë ti rrisin pagat.
Asnjëri prej tyre nuk flet për faktin se jemi vendi më i varfër në Evropë dhe në regjion, se mezi arrijmë të mbulojmë importin me 10 përqind eksport, se pagat në sektorin privat, ku kemi trefishin e të punësuarëve në krahasim me sektorin publik, janë shumë më të ulëta; jemi vendi me shkallën më të lartë të papunësisë prej rreth 30%, kurse nga rreth 2 miliard të hyra buxhetore mbi 1.4 miliard janë destinuar për paga dhe transfere sociale, duke ul kapacitetin për investime dhe zhvillim.
Standardi familjar i arsimtarëve, mjekëve, policëve, shërbyesve civil… dhe askujt nuk do të rritet vetëm duke ua rritur atyre pagat, por duke hapur vende të reja pune për të papunët, që janë edhe familjarë të tyre. Prandaj, asnjë mendje e shëndoshë nuk arësyeton se duhet të mburremi me veprime të tilla dhe me vendime të tilla. Përpos logjikës zhvatëse.
Këtij vendimi po i atribuohet se është jokushtetues. Për sa i përket kësaj, në këtë vend ka humbur kuptimi i asaj çfarë është kushtetuese e çfarë jo. Shtrohet pyetja se kush mund të pres që një Gjykatë, e kapur, Kushtetuese e cila lejoi rritjen 100% të pagave të Qeverisë, tani do të thotë që një Ligj për Pagat qenka jokushtetues. Më lehtë do të thonin se vet Gjykata është më shumë jokushtetuese sesa kushtetuese. IM