Njohësi i zhvillimeve ekonomike në vend, Safet Gërxhaliu ka deklaruar se Kosova është produkt i diplomacisë ndërkombëtare, por “Trepça”, nuk duhet të jetë pjesë e debateve, për ndonjë plan që do të ishte pjesë e shkëmbimeve për territore ndemjet Kosovës e Serbisë.
“Ndërmarrja “Trepça”, që dikur ishte shtylla kryesore ekonomike, nuk e meriton që të jetë skajshmërisht pjesë e debateve dhe e pazareve të ndryshme ndërkombëtare. Ai që “Trepçën”, e analizon vetëm nga një dimensioni ekonomik, gabon. “Trepça në vete ka multidimension. Është shumë me rëndësi që ‘Trepça”, duhet të shikohet nga disa konteste, si: politik, strategjik, integrues dhe mbi të gjitha në aspektin e së ardhmes. Për të ka pasur një dështim, por merita për mbajtjen e “Trepçës “, i takon më shumë minatorëve, sesa politikëbërësve”, tha Gërxhaliu në Radio Televizionin e Kosovës.
Sipas tij Serbia dëshiron që ta bëj “Trepçën”, pjesë të debatit sepse dëshiron të marrë sa më shumë.
“Është koha që fjalën përfundimtare, ta thotë ekonomia dhe shkenca. Do të ishte dëm shumë i madh për Kosovën, nëse Kosova do të humb Ujmanin dhe “Trepçën”. Kosova në atë pjesë ka shumë rezerva të ujit dhe asesi nuk duhet të ketë bisedime për to”, tha Gërxhaliu.