Deputeti i LDK’së, Arben Gashi ka thënë se Partia e Shpend Ahmetit është shndërruar në patericë dhe përkrahëse të Kadri Veselit e Ramush Haradinajt. Po i përkrah të gjitha vendimet e Qeverisë, përfshirë edhe miratimin e buxhetit.
Njëri prej deputetëve më të votuar të LDK’së deklaron se dy partitë më të mëdha në Kosovë s’po mund ta rrëzojnë Qeverinë, për shkak se Shpend Ahmeti dhe PSD kanë vendosur të rreshtohen krahë Qeverisë.
Ka theksuar për Express se Ramush Haradinaj e ka degraduar qeverisjen në Kosovë si Kryeministër i shantazhuar nga brenda dhe jashtë koalicionit.
Mirëpo, fajtori kryesor, sipas Arben Gashit, është PDK’ja që po lejon Kryetarin e AAK’së të keqqeverisë me Kosovën.
Sipas tij, Partia e Kadri Veselit si partia më e madhe në koalicion bart përgjegjësinë kryesorë për të gjitha të këqijat e Qeverisë.
Ai ka parashikuar se PDK do t’i shohë dëmet e kësaj qeverisjeje në zgjedhjet e ardhshme.
Gashi ka treguar se LDK shpejt hyn në zgjedhjet partiake të cilat mund të zgjasin deri në vjeshtë. Ka thënë se gara për Shef të LDK’së do të jetë e hapur për secilin kuadër të partisë.