Agron Demi, që aktualisht është analist politik në institutin GAP, e ka komentuar shkarkimin e Ministrit të Bujqësisë Nenad Rikalo, i cili u shkarkua si kusht i Partisë Socialdemokrate.
Kryeministri Ramush Haradinaj, sot e largoi Rikalon vetëm për shkak se shkarkimin e kishte vënë kusht PSD-ja me qëllim që t’ia votonte Buxhetin e vitit 2019 dhe jo për shkak të skandaleve.
Demi thotë se skandalet e Rikalos, nuk janë hiç më të veçanta se sa të anëtarëve tjerë të kësaj Qeverie, si Pal Lekaj, Shyqiri Bytyqi, Behgjet Pacolli, e Besim Beqaj.
Demi, në një postim në Facebook thotë se Rikalo nuk e kishte vendin në ministri, për shkak të keqpërdorimeve milionëshe me buxhetin e shtetit. Por, siç shkruan ai, keqpërdorimet e Rikalos nuk janë hiq më të veçanta se sa të anëtarëve tjerë të kësaj Qeverie.
“Pal Lekaj në Ministrinë e Infrastrukturës i dhuroi 53 milionë euro Bechetl&Enka në emër të vonesave, kurse nuk po penalizohet kjo kompani kur ka kalu mbi një muaj afati kur është dashur të përfundohet autostrada. Po Ministria e Lekajt po e vazhdon monopolin në homologim, po shpërblen me punë kompaninë e zëvendësministrit në autostradën e Gjilanit, po mban mbyllur kontratat e autostradave në kundërshtim me vendimet e gjykatave… Hiq ma i mirë se Rikalo nuk është ministri i MASHT, Bytyqi, i cili e ka politizu në tërësi këtë ministri dhe ka keqpërdorur me buxhet të ministrisë në dhjetëra raste. Hiq ma i mirë nuk është Behgjet Pacolli në Ministrinë e Punëve të Jashtme, i cili e ka shndërrua ministrinë në produksion skandalesh diplomatike dhe po e rrënon edhe më tej shërbimin diplomatik. Kjo Qeveri ka me vaxhdu me pas ministër Besim Beqajn e “Prontos”, shkatërruesin e PTK e përgjegjësin kryesor për faljen e katër hidrocentraleve. E mos të flasim për shefin e kësaj Qeverie, lista e skandaleve e keqpërdorimeve të të cilit nuk ka fund. Andaj, me reduktu të keqen e kësaj Qeverie vetëm në Rikallon dhe me deklaru fitore shkarkimin e tij është manipulim i paturpshëm dhe amnestim i krejt të keqpërdorimeve tjere të kësaj Qeverie”, ka përfunduar Demi.