Tri vite më parë ishin pikërisht deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ata që mundësuan Hashim Thaçin që të bëhet president i vendit. Ndërsa tash, pikërisht të njëjtit deputetë shprehen të pa kënaqur me punën e presidentit për këto tri vite, shkuan Gazeta Blic.
Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri tha për “Gazeta Blic”, se Thaçi , ka dështuar të përmbush obligimin kushtetues për unitet ndërmjet subjekteve politike, duke shprehur zhgënjimin që ia besuan këtë post.
“Duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, marrë për bazë edhe kompetencat dhe përgjegjësitë e Presidentit, atëherë unë kisha me fillu me atë që është një ndër presidentët e Kosovës që nuk ka mundur asnjëherë t’i unifikojë partitë politike, duke e ndarë në dysh edhe partinë e tij”, ka theksuar ajo.
Sipas saj, i pari i vendit, nuk ka arritur të unifikojë asnjë subjekt politik që e ka obligim kushtetues.
“E keqja e gjithë veprimit të tij, i ka tejkaluar veprimet e veta dhe shpeshherë na detyron me pyet veten secili nga ne pse me kaq ngulmë ky tenton të jetë kryesues i dialogut, ku në bazë të Kushtetutës dhe në bazë të rezolutës së Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet që qeveria ta kryesojë dialogun. Duke pasur parasysh edhe deklaratat e tij tejet të rënda dhe të rrezikshme na bën të dëshpëruar secilin qytetarë të vendit, sepse secili qytetarë e ka të drejtën të krenohet me presidentin e vet, Qeverinë, Kuvendin e kështu me radhë”, tha ajo për Gazeta Blic.
Ajo konsideron se Hashim Thaçi është një person që ka zhgënjyer edhe ata që kanë besuar në të.
Ajo ka paralajmëruar se vendi është para një rreziku të madh, sepse siç shprehet ajo “tërë institucionet e Republikës së Kosovës duhet të shpenzojmë energji që të merremi me presidentin që mos të negociojë territorin e vendit dhe kjo është “no comment”.
Ajo shton se, fati i keq është se dokumentet tona dhe ligjet e Kushtetuta, e pamundësojnë shkarkimin e një presidenti edhe kur paraqitet i tillë.
“Megjithatë ne po rrimë aty dhe po punojmë çdo ditë që t’i kemi nën kontroll veprimet e tij që në mënyrën se si ai deklarohet janë të rrezikshme. Kjo për 3 vjetorin e tij, uroj të mos e përmbyll 5 vjetorin”, tha Gaxherri.
Hashim Thaçi është zgjedhur president i Kosovës me 26 shkurt, ndërsa pozitën e shefit të shtetit e kishte marrë me datë 7 prill, një datë pasi i kishte përfunduar mandati ish-presidentes Atifete Jahjaga./Gazeta Blic./