Pas plot tri javëve grevë në arsim, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj, thanë se u arrit marrëveshje me përfaqësuesit e SBASHK-ut, që paga t’ju rritet dhe greva të ndërpritet.
Përveç falënderimeve dhe urimeve për fillimin e procesit mësimor të hënën, asnjëri prej tyre s’ka treguar se çfarë marrëveshje kanë arritur.
Koha.net ka provuar të kontaktojë me Rrahman Jasharaj, për të marrë më shumë detaje, por ai nuk e ka hapur telefonin. Koha.net ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga Qeveria se cili është propozimi i tyre për mësimdhënësit por s’ka arritur.
Veseli, sot gjatë konferencës për media tha se të gjithë punëtorëve në arsim u janë rritur pagat, dhe madje u zotua se kjo rritje do të vazhdojë ashtu siç ka premtuar ai bashkë me kryeministrin Haradinaj. Por, nuk treguar se sa u është rritur paga.
Kujtojmë se nesër në Kuvendin e Kosovës, pritet të miratohet projektligji për Paga dhe ai për Buxhet. Përmes këtyre, sot Veseli e Haradinaj thanë se do t’u mundësohet rritja e pagave për më shumë se 70 mijë punonjësve të sektorit publik.
“Ashtu siç u kemi premtuar, pagat do t’u rriten të gjithëve: policisë, ushtrisë, shëndetësisë, arsimit, artistëve, administratës publike, asamblistëve të komunave, pensionistëve dhe gjithë punëtorëve tjerë”, tha Veseli.
Po ashtu Veseli ka siguruar të gjithë punëtorët e Doganës dhe ATK-së se statusi i tyre nuk do të preket.