Grupi Parlamentar i AAK-së, sot ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend me theks të posaçëm, taksën në produktet e Serbisë dhe të Bosnje Hercegovinës.
Deputetët e AAK-së, përmes një komunikate për media, thonë se kanë kërkuar nga lidershipi i vendit, presidenti, kryetari i Kuvendit dhe kryeministri, që të bëjnë të pamundurën që t’i sqarojnë partnerët ndërkombëtarë, se pezullimi eventual i kësaj takse do të kishte pasoja të mëdha për vendin dhe për vetë procesin e dialogut me Serbinë.
“Ne jemi të përcaktuar për dialog, por kërkojmë me ngulm që Qeveria, kryeministri dhe Ekipi Negociator të mos pranojnë kurrfarë kushtesh për fillimin e dialogut me Serbinë. Në rast se vendosen kushte për fillimin e këtij dialogu, Kosova i ka 1001 arsye që të vendos kushte për fillimin e tij”, thuhet në komunikatë.
Grupi Parlamentar i AAK-së thotë se konsideron se taksa e vendosur në produktet serbe nuk mund të hiqet deri sa Serbia të mos heqë dorë nga agresioni politik, ekonomik e diplomatik ndaj Kosovës, dhe derisa të mos arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse, ligjërisht obligative që do të rezultojë me njohje të ndërsjellë.