Në Klinikën e Onkologjisë sot është shënuar Dita Botërore e Kancerit, ku bashkë me Shoqatën e Onkologëve të Kosovës organizuan tryezën me temë “Sëmundjet malinje, sfidat e menaxhimit të tyrë në vendin tonë dhe në botë”.
Pjesë e kësaj tryeze ishte drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurtishi, bashkë me zv/ministrin Ali Berisha, ku premtuan se nuk do të kursejnë asgjë për të investuar në repartin e Onkologjisë, njofton Klan Kosova.
“Në krahasim me vitet e kaluara, Onkologjia ka avancuar shumë ajo tani po ofron 24 orë shërbim për pacientët me sëmundjen e kancerit. Por me rëndësi në luftën me kancerin është parandalimi e për këtë institucionet vartëse e sidomos Insituti i Shëndetit Publik duhet ta kryej punën sic duhet”, tha Berisha.
Ilir Kurtishi, drejtor i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, ka treguar më shumë lidhur me rastet e trajtuara në këtë klinikë.
“Vitin e kaluar kemi shënuar 1500 raste të reja që është një trend i këtyre rasteve. Dominon kanceri i gjirit tek femrat, kanceri mushkërive dhe kanceri i zorrës së trash pak më shumë te meshkujt se tek femrat. Kemi hap shërbimin e ri, shërbimin spitalor ku janë 15 shtretër. Shërbimi tjetër i rëndësishëm është shërbimi i radioterapisë. Synimet tona janë, hapja e shërbimeve të reja si ajo e Brahiterapisë. Kemi ide të kyçemi në hulumtime klinike, kemi nevojë për zgjerim të stafit, infermier të përgjithshëm. Ne kemi një staf profesional. Jemi 19 onkolog, 13 onkolog merren me kimioterapi”, tha ai.