Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka arritur në aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit ku është pritur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Shpresoj se këtu do të ndiheni si në shtëpinë tuaj”, i tha presidenti serb homologut të tij rus, në fillim të pritjes shtetërore.
Vuçiq e falënderoi Putinin për “mundin, kohën, respektin dhe dashurinë në zhvillimin e raporteve serbo-ruse”. Ai, gjithashtu, e falënderoi Putinin për mbështetjen në mbrojtjen e integritetit territorial të Serbisë.
“Rusia gjithmonë mund të llogarisë se e ka një aleat në Serbi”, tha Vuçiq.
Ndërkaq, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në fillim të takimit tha se “jam shumë i lumtur që kam rastin të vizitoj Serbinë miqësore, vëllazërore dhe të flas për bashkëpunimin “.
Fjalitë hyrëse në takimin ndërmjet Putinit dhe Vuçiqit kanë qenë të hapura për publikun.
Kjo vizitë e Putinit nga ana e Serbisë, por edhe disa qarqeve ndërkombëtare, është parë si një vizitë e rëndësishme politike në një kohë kur ekziston një mundësi në rritje e angazhimit të drejtpërdrejtë të fuqive kryesore në botë për zgjidhjen e çështjes së raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Para disa ditësh, Presidenti rus, Vladimir Putin ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke destabilizuar Ballkanin duke treguar “rol dominues” në këtë rajon, kanë raportuar gazetat serbe.
Putin i ka bërë këto komente për gazetat serbe, “Veçernje Novosti” dhe “Politika”, të publikuara më 15 janar. Komentet e presidentit rus janë publikuar edhe në faqen zyrtare të Kremlinit.
Në deklaratat e tij është theksuar edhe njëherë lidhja e ngushtë historike e Moskës me Serbinë, si dhe paralajmërimi për ndikimin perëndimor.
Komentet e tij kanë qenë edhe në kundërshtim me paralajmërimet nga Uashingtoni dhe nga disa vende evropiane që janë të shqetësuara për tentimet e Rusisë që ta destabilizojë rajonin, duke përfshirë, Malin e Zi, Bosnje Hercegovinën dhe Maqedoninë.
Në këto intervista, Putin ka rikujtuar edhe bombardimet e NATO-s në Serbi më 1999 gjatë luftës në Kosovë, si dhe pavarësinë e Kosovës.
“Për aq kohë sa situata në Ballkan është shqetësuese, politika e Shteteve të Bashkuara dhe disa kombeve perëndimore që tregojnë rolin e tyre dominues, vazhdon të jetë faktor serioz i destabilizimit”, është cituar të ketë thënë Putin.