Asllan Hajra nga Mitrovica që para dy dite kishte mbetur në korridoret e Emergjencës në Prishtinë, po deklaron se nuk e mori trajtimin si duhur nga mjekët. Pavarësisht se thotë që u kontrollua ai thotë se e kishte gjendjen e rëndë.
Megjithatë ishte dikush me të cilët, Hajra u nda i kënaqur. Ai falënderon sot policët të cilët e dërguan tek kardiologu dhe tek taksitë për Mitrovicë. Ai falënderon policët që edhe ia paguan udhëtimin, për shkak se sic thotë ai nuk ka mundësi.
Hajra tregon se nuk ndihej mirë dhe se kishte probleme me frymëmarrje. Sipas Hajres pavarësisht gjendjes së tij mjekët i thoshin se është mirë.
“Kur erdha në Prishtinë i bëra ato si me thënë, më kanë matë gjakun ato incizimet. Brenda kohës kisha probleme me frymëmarrje nuk mundesha me marrë frymë u ankojsha, ai thoshte mirë je. Unë thosha nuk jam mirë”, ka deklaruar ai për T7.
Ai tregon se pas kontrolles që kishte pasur kishte ardhur sigurimi dhe e kishte nxjerrur jashtë.
“Thirr ata, thirr ata askush nuk murrë masa, dërgoni atje ata thanë nuk është për neve. Dhe erdh ai i sigurimit tha axhë dil prej ktuhit. Unë i tregova se kam ardhur prej Mitrovicës ku me shkua. S’kam as pare as asgjë. Më kanë qit në korridor, me një fjalë si qeni”, ka deklaruar ai për T7.
Ai më pastaj është dërguar tek kardiologu i cili kontrollohet zakonisht dhe më pas është dërguar në shtëpi. Në të kaluar ishte bërë operacion në zemër.
Megjithatë sfidat për të nuk kishin përfunduar as pasi ishte kontrolluar nga kardiologu që kontrollohet zakonisht. Thotë se tre policë e kishte dërguar tek kardiologu dhe ata kishin paguar taksin që të dërgohej në Mitrovicë.
“E kanë thirr Policinë, policia ka ardhur më kanë qit në veturë më kanë kap për krahu, faleminderit prej tyre më kanë dërguar deri tek kombistat [taksit ilegal v.j], ata e kanë paguar kombin dhe më kanë dërguar në Mitrovicë”, ka treguar Hajra./Insajderi.com