U cilësua si përplasja e parë publike në mes koalicionit PAN. Por, kjo po del të jetë më shumë se kaq.Një propozim i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli për pezullim të taksës prej 4 muajsh ka shtyrë kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj dhe partinë e tij që të mos sforcohen karshi vendimit për pezullim apo heqje të taksës, shkruan Gazeta Blic.Madje, për këtë Haradinaj gjatë ditës së djeshme u ka dërguar edhe një letër vendeve të QUINT-it.
Aty përmenden pesë kushte të cilat, Haradinaj kërkon që t’i plotësohen për pezullim të taksës. Ndërsa, shkuarja në zgjedhje në rast se nuk e pezullon taksën edhe përkundër presionit të SHBA-ve dhe BE-së, nuk po e frikëson të parin e ekzekutivit.
“Nëse shkojmë në zgjedhje i bjen që taksa mbetet deri në qershor kështu që hymë në verë me taksë. Pra ka me na zënë qershori gjithqysh”, tha sot Haradinaj.Se vendit nuk i konvenon shkuarja në zgjedhje po thotë edhe analisti i çështjeve politike, Imer Mushkolaj. Ai në një prononcim për Gazetën Blic tha se në këtë situatë, askush nuk është i interesuar për zgjedhje.
Ttregoi edhe arsyet.“Për zgjedhje nuk është e interesuar asnjëra palë, aq më pak jo në këtë kohë edhe kur iu është bërë e ditur edhe nga SHBA dhe BE se një marrëveshje me Serbinë duhet të arrihet në muajt e ardhshëm për shkak se shkuarja në zgjedhje do ta zvarriste procesin shumë dhe në njëfarë forme kjo nuk është në interes të planeve të SHBA-së dhe Be-së për Kosovën. Natyrisht që presioni i PDK-së ka të bëjë me taksën dhe kjo qasja e Haradinajt e ka pru një situatë të tillë. Ai ka thënë se taksa nuk hiqet derisa Serbia ta njoh Kosovën e që në fakt është një pritje jo racionale” tha Mushkolaj.