Ka nisur takimi në objektin e Qeverisë në mes të partnerëve të koalicionit qeveritar.
Në takim po marrin pjesë, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj si dhe ai i AKR-së, Behgjet Pacolli.
Edhe pse nuk dihet arsyeja e këtij takimi, partnerët e koalicionit qeverisës së fundmi kanë shprehur qëndrime të ndryshme për taksën ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Kryeparlamentari Kadri Veseli, njëherësh kryetar i PDK-së, ka deklaruar se taksa 100 % nuk do të hiqet, por ajo mund të pezullohet për 120 ditë dhe me kushte, si mirëbesim ndaj SHBA-ve dhe BE-së për disa arsye, njofton Klan Kosova.
Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj, njëherësh kryetar i AAK-së u ka shkruar një letër ambasadorëve të Quint-it dhe ambasadorit të BE-së në Kosovë, në të cilën i ka bërë të ditura kushtet për pezullimin e taksës 100 %.
Ai ka kërkuar nga SHBA-të dhe BE-ja që të nisin dhe mbështesin një konferencë ndërkombëtare me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila sipas tij duhet të përfundojë brenda 14 ditësh.