Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror (SINKON) me anë të një komunikate për media thonë se janë të shqetësuar ndaj projektligjit për paga.
Sipas tyre kur ka qenë projektligji në diskutim vërejtjet e SINKON-it nuk janë marrë parasysh.
“Si rrjedhojë, neni 27 i projektligjit parashihte trajtim të veçantë për kontrollorët e trafikut ajror për shkak të rëndësisë që ka ky profesion në funksionimin e shtetit të Kosovës. Së voni, kemi mësuar që ky nen është larguar i tëri nga ligji”.
“Aktualisht, në Kosovë janë vetëm 22 kontrollorë të trafikut ajror nga 32 sa ishin më parë. 10 kolegë tanë (mbi 30% e personelit) tashmë janë duke vazhduar karrierën jashtë Kosovës, fakt që dëshmon se këta profesionistë janë të pakënaqur me pagat e tanishme”.
“Me këtë ligj mbetet e paqartë pozita e kontrollorëve të trafikut ajror. Nëse pagat e tanishme të kontrollorëve të trafikut ajror zbriten si rrjedhojë e ligjit, atëherë kjo do të ketë pasoja të pakëndshme për shtetin tonë. Shqetësimi ynë është përcjellur tek IFATCA dhe ATCEUC”, shkruhet më tej në komunikatën e dërguar nga SINKON.
Më tek sipas tyre me këtë ligj, Kosova rrezikon të humbasë 22 kontrollorët të fundit të trafikut ajror.