Ministria e Administratës Publike po planifikon që të furnizojë me flamuj të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës. Blerja e këtyre flamujve pritet t’i kushtojë buxhetit të shtetit më të varfër në rajon rreth 40 mijë euro, raporton Gazeta Express.
Rreth 40 mijë euro janë planifikuar të shpenzohen për blerjen e flamujve të jashtëm dhe të brendshëm, që pritet të vendosen nëpër të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.
Gjithë kjo në bazë të njoftimit për kontratë që ka publikuar Ministria e Administratës Publike në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik.
Në bazë të njoftimit të publikuar në KRPP, gjithë kompanitë e interesuara për të furnizuar institucionet me flamuj, mund të dorëzojnë ofertat e tyre për tender deri më 8 shkurt të këtij viti.
“Në bazë të aplikacioneve të pranuara, më së shumti 6 kandidat do të ftohen për të dorëzuar tenderët e detajuar të kësaj kontrate. Nëse më shumë se 6 kandidat të përshtatshëm i plotësojnë kriteret e mësipërme të përzgjedhjes, përparësitë dhe dobësitë relevante të aplikacioneve të këtyre kandidatëve do të riekzaminohen për të identifikuar gjashtë aplikacionet më të mira për proceduren e tenderit”, thuhet në njoftimin e publikuar në KRPP.