Ylli i Werder Bremenit, Milot Rashica, ka folur për faqen zyrtare të klubit për karrierën e tij në futboll, dhe gjëra nga jeta e tij private, që nuk kanë të bëjnë me futbollin.
Rashica ka një vit që është pjesë e ekipit të njohur të Bundesligas, pasi u transferua në janarin e vitit të kaluar, transmeton Insporti
Duke folur për faqen e Werderit, Rashica foli momentet më të preferuara në karrierë dhe shumë gjëra të tjera, si muzika rep, plazhet shqiptare, dhe ushqimin e tij të preferuar, i cili është flija.
Momenti i preferuar në karrierë:
“Janë dy, trnasferimet nga Kosova në Eredivisie, dhe më pas te Werder Bremeni.
Por, mendoj se fitimi i grupit në Nations League me shtetin tim është momenti im i preferuar”, tha Rashica për WERDER.DE, përcjell Insporti
“Kjo do të thotë shumë për të gjithë ne. Unë kam lindur në Kosovë, kam shkuar në shkollë dhe kam luajtur aty që kur isha 18 vjeçar, dhe jam ende shumë i lidhur me vendin tim. Kaluam kohë të gjatë derisa u pavarësuam dhe tani luajmë për shtetin tonë. Nuk jemi pjesë e FIFA-s që një kohë të gjatë, andaj kjo është shumë e rëndësishme”, shtoi Rashica.
Vendi i preferuar në Bremen:
“Kam një restaurant të preferuar, ‘Bellini’ në ‘Schlachte’. I njoh pronarët dhe të gjithë njerëzit që punojnë aty. Shumë vijnë nga Kosova ose Shqipëria. Bëjnë ushqim të mirë. Kur dal, preferoj të shkoj aty”.
Ushqimi i preferuar që e gatuan e dashura:
“Ajo gatuan në mënyrë fantastike. Zakonisht hamë pasta ose pjata të mishit, por ajo mund të gatuajë çkado, për shembull ushqime nga kuzhina tradicionale e vendit tim, siç është flija. Ky është një lloj ushqimi tradicional. Ose bureku me djath ose me mish, apo bukë tradicionale shqiptare – më pëlqen çkado që ajo gatuan”.
Reperi i preferuar:
“Normalisht dëgjoj vetëm hip-hopin shqiptar. Nuk mund të zgjedh një artist. Ata të gjithë janë miq të mi nga Kosova. Nëse më pëlqen një reper i huaj, do të thoja Azeti. Ai është nga Kosova, por jeton në Gjermani. Loredana dhe Mozziku janë po ashtu miq të mi të mirë. Ata këndojnë në gjuhën gjermane. Nga Kosova më së shumti më pëlqen MC Kresha. Ai mbajti një koncert në vendlindjen time, në Vushtrri, dhe mbante fanellën time në skenë. Kjo ishte një befasi e madhe për mua. Ai po ashtu është një tifoz i madh i futbollit. Pastaj janë Ledri Vula, Capital T, Gold AG dhe shumë të tjerë”, shtoi Rashica.
Kënga e preferuar para ndeshjeve:
“Natyrisht, këngët nga të gjithë ata që i përmenda, por kam një artist special i cili më motivon. Emri i tij është Unikkatil, natyrisht se ai vjen nga Kosova, por jeton në SHBA. Mendoj se ai është një nga reperët më të mirë në botë. Zakonisht i dëgjoj këngët e tij para ndeshjeve”, tha Rashica. /Insporti.com