Kolegjiumi i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv përmes një njoftimi për media ka dhënë më shumë informata lidhur me vdekjen e ish-luftëtarit të UÇK-së, Avni Hyseni, i cili ndërroi jetë në orët e mbrëmjes të datës 31.12.2018, teksa po trajtohej në këtë klinikë.
Në këtë njoftim tregohet ecuria e trajtimit të pacientit, dhe lëvizjes së tij nga Spitali i Pejës në QKUK, e pastaj edhe për trajtim në Spitalin Amerikan në Tiranë.Kolegjiumi i kësaj klinike përmend edhe sjelljen e vëllait të të ndjerit, Adnan Hysenit, i cili me datë 10 janar 2019 kërkoi dosjen e të vëllait. “Me dt. 10.01.2019 rreth orës 15:00, vëllai i të ndjerit A. Hyseni vjen në MIQ dhe kërkon dosjen komplete të të ndjerit.
Përkundër sqarimeve që këto dokumente duhet të merren në mënyrë të rregullt, përmes kërkesës në organet kompetente dhe se ekipi kujdestare nuk ka qasje në arkivin e dokumenteve, ai kërcënonte se do te ndodhin gjëra të këqija po që se nuk ofrohen të njëjtat, pa hyrë në detaje për fjalorin e rëndë, kërcënues, ofendues që i bën stafit mjekësor.
Për shkaqe sigurie ftohet policia, e cila komunikon me stafin mjekësor, kolegët e tyre dhe familjarin, për të mbajtë në kontroll situatën. Sidoqoftë, pas komunikimeve të vazhdueshme me Drejtorinë për shkak të ndjeshmërisë së situatës së krijuar, vendoset që me urdhër të Drejtorit të Përgj, të ShSKUK, të ftohet stafi përgjegjës për hapjen e arkivit, të sigurohet dokumentacioni i fotokopjuar dhe t’i jepet familjarit”, thuhet në një pjesë të kumtesës për media.
Më poshtë reagimi pa ndërhyrje i Kolegjiumit të Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv:
Me këtë informatë, Kolegjiumi i Kl. Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv informon opinionin e gjerë lidhur me rrjedhën trajtimit të pacientit Avni Hyseni, i cili ka ndërruar jetë në Mjekimin Intensiv Qendror (MIQ)-QKUK.
Me datën 12.12.2018, pacienti A. Hyseni ishte dërguar në Spitalin e Pejës, pa vetëdije dhe me ndërprerje të punës së zemrës. Pas disa orëve, pasi që patologjia ka qenë shumë e rëndë, ai transferohet në Q. Emergjente-QKUK, ku pas ekzaminimeve mjekësore, verifikohet Gjakderdhje masive në tru.
I njëjti transferohet në MIQ, për mjekim intensiv dhe mbështetje respiratore, aty ku gravitojnë pacientët me patologji më të rënda nga të gjitha institucionet shëndetësore të Kosovës. Familjarët janë informuar për gjendjen shëndetësore të pacientit dhe prognozën e tij. Me vetiniciativë dhe insistim, familjarët vendosin që pacientin ta transferojnë në Spitalin Amerikan në Tiranë për trajtim të mëtutjeshëm, me përcjellje të ekipës mjekësore.