Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka demantuar një pjesë të mediave serbe se presidenti rus Vladimir Putin gjatë vizitës në Beograd do të sjellë zgjidhjen për Kosovën.
Ai tha se Serbia ka mbështetjen e plotë ruse rreth arritjes së zgjidhjes së kompromisit për Kosovën.
“Putin nuk sjell zgjidhje, ai na pyet se cila është zgjidhja. Ne rregullisht shkëmbejmë informacion me ta në pesë apo gjashtë vitet e fundit që kur isha kryeministër”, tha ai.
I pyetur se çfarë do t’i thonë zyrtarët serbë presidentit Putinit rreth Kosovës, Daçiq tha se dihen propozimet tona për një zgjidhje kompromisi.
“Ata na mbështesin në gjetjen e një kompromisi, duke kritikuar lëvizjet e njëanshme të Prishtinës dhe janë aktivë në mbështetjen që na ofrojnë në organizatat ndërkombëtare”, u shpreh ai.