Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se nuk duhet të ndodhë prishja e raporteve mes Kosovës dhe partnerëve të saj pasi edhe ata presin një marrëveshje paqësore dhe përfundimtare nga dialogu Kosovë-Serbi.
“Nuk dëshiroj që vendit tim t’i ndodhë fenomene çfarë i ka ndodhur disa popujve kur nga një miqësi e fuqishme me partnerët perëndimorë kanë marrë të mbrapshtën. Prandaj besoj fuqishëm në vullnetin pro perëndimor të popullit të Kosovës. Ne si liderë e kemi për obligim që këtë vullnet ta shndërrojmë në vizion, në vlerë dhe ta ruajmë këtë partneritet. Ne nuk duhet t’i respektojmë dhe t’i duam perëndimorët, BE-në dhe SHBA-të vetëm kur të na bjerë krejt mirë dhe kur entuziazmohemi”.
“Tash duhet të kemi parasysh që Serbia nuk udhëhiqet më nga Sllobodan Millosheviq, e di që udhëhiqet nga një ish-ministër i tij, por rrethanat janë tjera në Serbi dhe në rajon. Kjo marrëveshje do të sjellë paqe dhe stabilitet edhe më të fuqishëm në tërë Ballkanin Perëndimor”.
“Ne këtë e diskutuam edhe në takimin e fundit në Bruksel ku të pranishëm ishin të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor, mbështetës të përpjekjeve paqësore të arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi. Pas marrëveshjes së Maqedonisë dhe Greqisë, tani është radha e Kosovës dhe Serbisë. Tani të gjithë presin marrëveshje”.
I pyetur nëse ka mundësi që kjo marrëveshje të përfundojë pa e njohur Serbia Kosovën, Thaçi ka e ka quajtur si një marrëveshje të pakuptimtë.
“Më së lehti është me qenë skeptik, më së lehti është të kritikoni. Por le të futen në fushë, le të angazhohen të gjithë. Beteja është me Serbinë në tavolinë dhe jo në studio televizive, jo në Facebook por zhvillohet përballë Aleksandër Vuçiqit dhe zyrtarëve serbë. Zhvillohet aty me ata që na kanë ndihmuar ndihmuar me ardhë në këtë ditë. Kështu që ne jemi në krye të përgjegjësive dhe Kosova nuk guxon të marrë përgjegjësinë e dështimit të dialogut dhe negociatave”.
“Nëse nuk ndodh ose nëse dikush mendon që do të ndodhë marrëveshja Kosovë-Serbi pa njohjen e Kosovës nga Serbia ajo marrëveshje nuk ka kuptim ose nëse Kosova nuk anëtarësohet në OKB”.
“Në të njëjtën kohë duhet të kemi parasysh se kjo një marrëveshje mund të jetë e balancuar duke respektuar vlerat e të dy vendeve dhe që janë vlerat perëndimore dhe orientimi në BE. Unë mendoj se me marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi ne vetëm sa e fuqizojmë më tepër raportin special me SHBA-të, bëhemi një partner i besueshëm dhe jo skemë politike e lazdruar që merr përgjegjësi dhe nuk i kryen apo t’i shtyejnë proceset siç ka ndodhur ai me demarkacionin me Malin e Zi”.
Presidenti i vendit tha në Info Magazine të Klan Kosovës se nëse arrihet marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, Kosova do të njihet nga pesë shtetet e BE-së si dhe do të anëtarësohet në OKB.
“Nëse ne e kryejmë këtë marrëveshje atëherë do të lëvizim shumë shpejtë pas themelimit të ushtrisë në programe për partneritet për paqe dhe drejt NATO-s. Por edhe do të ndodhë njohja e Kosovës nga pesë shtetet e BE-së si dhe anëtarësimi në OKB dhe do të jemi automatikisht në në të gjitha organizatat ndërkombëtare”.
Ai tha se me përmbylljen e marrëveshjes përmbyllet edhe shtetndërtimi i Kosovës pasi që nuk do të ketë më shqetësime për njohje të Kosovës si dhe shtoi se nuk duhet lakmuar modeli palestinez.
“Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës me duartrokitje dhe entuziazëm, prandaj do të jetë një marrëveshje e interesave të balancuar në mes të dy vendeve”.