Është pezulluar greva e mjekëve, duke shpresuar në premtimet e politikës.
Blerim Syla, kryetar i Federatës së Shëndetësisë së Kosovës, ka thënë se greva e mjekësve është pezulluar me vendim të Këshillit Drejtues, ndërsa si arsye të ndërprerjes së grevës i ka përmendur premtimet që kanë dhënë Ramush Haradinaj e Kadri Veseli për plotësimin e kërkesave të tyre.
“Deri në gjysmën e dytë të janarit ku do të përcillet aktiviteti i parlamentit dhe qeverisë bazuar në premtimet që i kanë dhënë në takimin e fundit kryeparlamentari Veseli dhe kryeministri Haradinaj. Do të punohet intensivisht me të gjitha grupet që në listë të merren parasysh kërkesat e Federatës për të gjithë punëtorët shëndetësorë. Federata distancohet nga çdo lloj organizimi tjetër me të vetmen arsye se popullit i duhen shërbimet mjekësore”, ka thënë Syla.
“Apelojmë te ligjvënësit që ligji i pagave të kalojë në të njëjtën ditë me ligjin e buxhetit dhe të përcaktohet data e implementimit të ligjit mbi pagat në të kundërtën organet e federatës do të mblidhen përsëri për të vendosur për masat tjera sindikale”, ka thënë ai.