Kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj, ka bërë një paralajmërim të ashpër sot në Reçak teksa ka përkujtuar masakrën e kryer atje nga forcat serbe para 20 vjetëve. Ai ka lënë të kuptohet se kërkesa për heqjen e taksës mund t’ia humbë karrigen e kryeministrit e madje edhe mund ta çojë në Hagë, por kjo, sipas tij, nuk do ta zmbrapsë nga beteja për taksën për mbrojtjen e territorit të Kosovës.
Pak para se ta mbajë një konferencë për media ku ka treguar se po përballet me presion nga Washingtoni për heqjen e takës së vendosur ndaj Serbisë dhe ku ka thënë se mund ta humbë një udhëtim përtej Atlantikut për shkak të telasheve me vizë, Haradinaj ka bërë një paralajmërim të ashpër nga Reçaku ku është mbajtur një akademi përkujtimore për masakrën e Reçakut.
Aty Haradinaj në prani të Kadri Veselit ka pranuar se mund ta humbë pozitën e kryeministrit për shkak të refuzimit për ta hequr taksën. Ai për herë të parë ka përmendur edhe fjalën “edhe nëse më rrëzojnë…” duke përmendur “fuqinë e madhe” (SHBA-në), “ndërskamcat” si dhe mundësinë që e gjithë kjo situatë mund ta çojë edhe në burg. Por, pikërisht pas kësaj Haradinaj ka përdorur një fjalor të ashpër duke thënë se nuk do të lejojë që të ndodhë korrigjimi i kufirit një opsion ky për të cilin po dialogon Hashim Thaçi me palën serbe.
“Veç po ju premtoj se kësaj rruge kom me i grah… nëse Fuqia e Madhe e ndërskamcat më rrëzojnë, edhe jashtë Qeverisë kom me i grah kësaj pune, edhe prej rruge edhe prej are edhe prej mali edhe prej fushe, por edhe nëse prapa grilave me çojnë boll lezet ish… edhe prej atje, por të drejtën tonë të shqiptarëve nuk ka me mujt kush me na e lëkund. Këtë do ta kuptojmë të gjithë, nuk kemi me parti këtu… kësaj rruge kemi me shku”, ka thënë Haradinaj
Pa përmendur emra, Haradinaj ka thënë se gjithë kjo po gatuhet në Kosovë e jo nga miqtë e Kosovës.
“Nëse vazhdojmë me e forcu Kosovën edhe miqtë kanë me na përkrah. Kritikat që vijnë nuk i kemi prej miqve, i kem prej brenda, prej budallakive tona. Serbia po do me u bë anëtare e BE-së, i ka edhe 3 vjet, edhe 3 vjet na mban kështu, e kur vjen 2022 është mirë ne mos me u pajtu me njohje të Serbisë, është mirë edhe ne me i lanë me prit. Ne nuk kemi thënë që nuk do të shkojmë në dialog pa i marrë trupat e zhdukur”, ka thënë ai.
“Deri kur po dojnë miqtë tanë me e la veten dhe me i rëndu shqiptarët. Ne i kemi pranu si miq po nuk bën me i rëndu një popull të vogël. Na vranë e na prenë e tash jepjani edhe një copë toke Serbisë. Le t’ia jep dikush një copë tokë Serbisë nëse guxon dhe do ta shohim se si do të dalë. Unë sa të jem në këtë Qeveri do t’i grahi kësaj pune, edhe nëse më rrëzojmë prapë pas kësaj pune do të jem”, ka përfunduar Haradinaj.