Prezantimi i raportit vjetor, ndryshimi i statutit dhe miratimi i draft-buxhetit dhe planit të punës për vitin 2019 ka bërë që Oda e Mjekëve të Kosovës të mbajë mbledhjen e pestë të rregullt me radhë.
Nga kjo mbledhje e të gjithë mantel bardhëve u tha se në vitin 2018 gjithsej në Odën e Mjekëve janë anëtarësuar 3861 mjekë.
Kreu i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu tha se të gjithë ata mjekë që veprojnë në Kosovë dhe nuk janë pjesë e kësaj ode, nuk kanë asnjë të drejtë që të punojnë dhe kryejnë intervenime në Kosovë. Sipas tij, të gjithë ata që nuk janë anëtarë të tyre, janë duke vepruar në mënyrë ilegale.
Sejdiu ftoi prokurorinë të hetojë klinikat private që marrin mjekë të huaj, pasi siç thotë ai, ata nuk guxojnë të merren me pacientët nëse nuk janë anëtarë të tyre.
“Të gjithë ata që nuk janë anëtarë tonë janë duke vepruar ilegalisht në Kosovë. A i ndjek prokuroria, a i ndjek media, a i ndjek kryeministria nuk është problemi jonë, ne nuk kemi inspektorat. Prokurorët tonë duhet të fillojnë që nga tash, të fillojnë punën rreth kësaj dhe ndalimin e këtyre aktiviteteve. Për çdo ditë i shohim në spitalet tona private, pa asnjë ikje, të gjitha spitalet private flas reklamojnë mjekë dhe ne i kemi verifikuar, ata nuk janë anëtarë tonë. Ata nuk guxojnë me prek pacientin apo me bërë asnjë aktivitet në Kosovë nëse nuk janë anëtarë të odës”, tha Sejdiu.