Qeni që presidenti rus Vladimir Putin e mori si dhuratë nga homologu i tij serb Aleksandar Vuçiq dhe ‘deltari ilir’ nuk janë të një race ani se ngjasojnë.
Sipas kultivuesit të qenve Saud Kajtazi “Sharrpllaninci” siç quhet në serbisht dhe ‘deltari ilir’ nuk janë të njëjtë.
‘Qenin e Vuçiqit e prezantojnë si ‘sharrplannic’ dhe nuk është ‘deltar ilir’’, tha Kajtazi për Klan Kosovën.
Sipas Kajtazit nga Federata Kinologjike e Kosovës termi ‘qen i sharrit’ nuk ka bazë shkencore.
‘Nëse një qeni i themi vetëm ‘qen i Sharrit’ atëher nuk kemi thënë kurgjo me atë fjalë për arsye se qeni i Sharrit si racë nuk ekziston. Disa po i referohen si ‘qen i Sharrit’ ‘deltarit ilir’ apo disa tjerë po i referohen ‘sharrpllanicit’’, shpjegoi ai.
Megjithatë në kohën e Jugosllavisë racat e qenve që janë rritur në trojet ilire nga kjo federatë janë regjistruar dhe përvetësuar si të saj.
Pavarësisht kësaj sipas njohësit të racave të qenve Muhamet Nikçi deltari ilir ka karakteristika që e bëjnë të veçantë.
“Gjatësia e kokës te raca e deltarit ilir përbën 40 përqindshin e lartësisë së qenit. Ndërsa qafa është 10 për qind më e shkurt se koka.
Deltari ilir si racë autoktone shqiptare njihet edhe për besnikëri ndaj pronarit.
Ai në vitin 2016 është futur nën mbrojtjen e ligjit.