Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se është e preokupuar me mënyrën se si po udhëhiqet vendi dhe se e më e udhës do të ishte që kjo qeveri të shkojë në shtëpi.
Kreu i kësaj partie Isa Mustafa, ka numëruar një serë kritikash në adresë të qeverisë Haradinaj, duke nisur nga vënia e taksës prej 100 përqind për mallrat serbe, dialogun në Bruksel e çështje të tjera. Madje Mustafa thotë se politikat e kësaj qeverie kanë vënë në pikëpyete raportet e Kosovës me BE-në.
“Ne konsiderojmë se kjo qeveri duhet të shkojë në shtëpi. Kjo Qeveri na ka vënë në pikëpyetje marrëdhëniet tona me BE-në. Ne e kemi vlerësuar letrën e presidentit Trump. Për neve është e pakuptimtë që në kohën kur Kosova ka marr këtë letër që të përmbahet nga veprimet, Qeveria e Kosovës i shton masat 100 përqind, në vend që të ketë konsideratë për një letër që na vjen nga një shtet që varet edhe e ardhmja e shtetit të Kosovës”, ka thënë Mustafa.
Megjithatë, Mustafa nuk ndjehet i penduar për zgjedhjen e Hashim Thaçit President, meqë sipas tij, LDK është një parti e cila u përmbahet marrëveshjeve.
“Unë fare nuk jam i penduar sepse Kushtetuta na ka pru në këtë situatë që nuk mund të qeverisim vet. Dhe, z. Thaçi e kemi votuar për President sepse e kemi zbatuar marrëveshjen. Unë mendoj që kam qeverisur në mënyrë korrekte dhe sot them që ata njerëz, ministrat e LDK-së kanë punuar mirë. Unë nuk pajtohem me diskursin politik që e ka tani PDK-ja”, tha Mustafa, përcjell kp.
I pari i LDK-së është i bindur se partia e tij e ka besimin e qytetarëve me rreth 27-30 përqind të tyre. Ndërsa thotë se do të fokusohen në dy çështje: Uljen e papunësisë dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Ndërsa sa i përket pjesëmarrjes në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Mustafa tha se do të japin kontributin e tyre në mënyra të tjera, por se Qeveria është ajo që duhet të marrë përgjegjësinë kryesore për këtë çështje.
“Ne jemi deklaruar se ne do ta japim kontributi tonë në Kuvendin e Kosovës. Ndërkombëtarëve iu kemi thënë që do të vazhdojmë të punojmë me ta, por Qeveria duhet ta merr përgjegjësinë e vet për dialogun dhe këtë përgjegjësi të mos e hedh tek opozita”, tha Mustafa.