Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka akuzuar qeverinë e tanishme duke thënë se këta të fundit po bëjnë fushatë kundër partisë së tij, e në mbrëmje thotë se po i çojnë ftesë për të qenë unik në dialogun me Serbinë, shkruan GazetaBlic.
“Këta janë duke zhvilluar fushatë çdo ditë kundër LDK-së, tërë ditën zhvillojnë fushatë kundër LDK-së, e në mbrëmje pastaj ia çojnë në ftesë LDK-së, hajde se na duhet me qenë unik, duhet me qenë bashkë, ajo nuk është mënyrë e sjelljes në situata të tilla,” – ka thënë ai.
Në një konferencë për media, Mustafa iu është drejtuar gazetarëve duke iu thënë që të mos dalin nga aty me bindjen se si LDK do t’i bashkohen kësaj Qeverie.
“Mos dilni prej këtu me bindjen se ne do t’i bashkohemi kësaj qeverie, kurrë! S’e thash e as nuk e them dot. Kësaj qeverie ne s’do t’i bashkohemi,” – ka thënë ndër të tjerash Mustafa.
Kreu i partisë më të madhe opozitare në Kosovë, ka thënë se e vetmja zgjidhje për të marrë pjesë në dialog është të bëhet ri-konfigurimi me çka Mustafa thotë se mund të ndodhë nëse Qeveria bie.
“Ri-konfigurimi është punë tjetër, do të thotë që duhet kjo Qeveri me ra edhe pastaj ne me e pa se çka duhet me bo në mënyrë që me dialogun, sepse në asnjë rast LDK-ja kurrë s’është shprehur që me iu bashkëngjit kësaj Qeverie.” – ka thënë ai.
Mustafa ka shtuar se duhen të respektuar partnerët strategjik të Kosovës, por ka vazhduar të insistojë se mënyra më e mirë për këtë është ri-konfigurimi.
“Ne jemi shprehë qartë në Këshillin e përgjithshëm të LDK-së që është organi më i lartë vendimmarrës ndërmjet dy Kuvendeve dhe kemi platformën tonë, përkatësisht dokumentin bazë të LDK-së lidhur me dialogun.
Orientimi jonë dhe përcaktimi jonë në dokument është që duhet të shkohet në zgjedhje, në mënyrë që të fitohet legjitimiteti politik. Në qoftë se nuk shkohet në zgjedhje, duhet të mendohet një ri-konfigurim total të Qeverisjes ose të institucioneve të tanishme të vendit në mënyrë që të sigurohet shumica e domosdoshme ose përfaqësimi i domosdoshëm i cili do të mundësonte pastaj ratifikimin e marrëveshjeve por edhe rolin që i takon çdo subjekti politik mbi bazën e fuqisë politike jo që në Bruksel ta përfaqësojnë Kosovën ata që nuk kanë përkrahje.
Por këto janë çështje të cilat ne mund t’i diskutojmë në Lidhjen Demokratike por në asnjë rast të bëhemi pjesë e kësaj Qeverisjeje dhe Qeverie që është tani dhe të këtij çelësi të cilin ata e kanë bërë dhe fushatën të cilën po e zhvillojnë.
Këta janë duke zhvilluar fushatë çdo ditë kundër LDK-së, tërë ditën zhvillojnë fushatë kundër LDK-së, e në mbrëmje pastaj ia çojnë në ftesë LDK-së, hajde se na duhet me qenë unik, duhet me qenë bashkë, ajo nuk është mënyrë e sjelljes në situata të tilla.
Ne duhet të respektojmë partnerët tanë strategjik, SHBA-të dhe BE-në, dhe së bashku me ta duhet të shohim se cila do të jetë mënyra më e mirë që të arrihet një marrëveshje e cila do të jetë në interes të Kosovës.
Kësaj mënyre ne do t’i ndihmojmë si opozitë sepse ne tani e kemi votën e opozitës por gjithmonë lëmë hapësirë që të bëhet një ri-konfigurim dhe pastaj të fitohet legjitimiteti përmes një ri-konfigurimi. Por ri-konfigurim duhet të jetë ai i cili e respekton fuqinë e partive politike.” – ka shtuar ndër të tjera ai.
/ © GazetaBlic /