Publicisti, Adriatik Kelmendi ka reaguar ndaj grevës së paralajmëruar nga ana e SBASHK-ut.
Ai në një shënim në Facebook ka theksuar se me ligj duhet të ndalohet greva në arsim e shëndetësi, raporton Gazeta Blic.
“Fajet kryesore i kanë politikanët edhe për gjendjen në arsim dhe shëndetësi! Shteti është për t’u dashur dhe zhvilluar, jo vetëm për t’u zhvatur!”, ka shkruar ai.
Reagimi i plotë:
Përndryshe, me ligj do të duhej t’u ndalohej greva dy sektorëve, shëndetësisë dhe arsimit, sepse e pësojnë dy kategoritë më të brishta – fëmijët dhe të sëmurët.
Të zgjedhin metoda të tjera për të kërkuar kushte, jo me grevë, se i marrin që qafë ata të cilëve do të duhej t’u ndihmonin.
Respekt për shumë mjekë dhe mësimdhënës të mrekullueshëm, por si sektorë nuk janë në nivel.
Dhe, po, as politikanët nuk i meritojnë rrogat që i marrin. Katastrofë që kryeministri i ka 35 këshilltarë, që ia ka rritë rrogën vetes, që e kemi qeverinë me numër rekord të ministrave e zëvendësministrave.
Fajet kryesore i kanë politikanët edhe për gjendjen në arsim dhe shëndetësi!
Shteti është për t’u dashur dhe zhvilluar, jo vetëm për t’u zhvatur!