Edhe pse kanë kaluar gati një muaj kur u përfol për një marrëveshje të fshehur mes ndërmarrjeve për të mbajtur çmimin e naftës mbi nivel, për këtë temë ende nuk kanë filluar hetimet nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, e këta të fundit i kanë thënë Expressit se kanë nevojë për më shumë të dhëna.
Sot është mbajtur mbledhja e rregullt e AKK’së e temë diskutimi ka qenë edhe hetimi i tregut të derivateve të naftës në Kosovë.
Mirëpo, edhe pse ka kaluar kohë që prej se po diskutohet për prapavijat e caktimit të çmimit të naftës në vend, nga ky komision ende nuk ka informacione të bollshme që flasim për këto çrregullime.
“Komisioni i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës ka mbajtur Mbledhjen e rregullt, ndër të cilat u diskutua edhe për çështjen e hetimit paraprak në tregun e derivateve të naftës në Republikën e Kosovës. Komisioni ka shqyrtuar të dhënat dhe analizat e deritashme të bëra nga Sekretariati dhe ka vlerësuar se nevojiten më shumë informata për të vërtetuar pretendimet për çrregullimin e konkurrencës në tregun përkatës të derivateve të naftës”, kanë bërë të ditur nga AKK.
Sipas tyre, po bashkëpunohet ngushtë për të krijuar dokumentacion të nevojshëm që vërtetojnë dyshimet.
“Autoriteti po bashkëpunon ngushtë me institucionet përkatëse për të grumbulluar dokumentacionin e nevojshëm dhe është duke përpunuar këto të dhëna për të vërtetuar dyshimet e Autoritetit mbi atë nëse ka elemente të mjaftueshme për marrëveshje të ndaluar për fiksim të çmimeve, praktikë të bashkërenduar ose abuzim me pozitën dominuese të kompanive në tregun relevant. Autoriteti në mbledhjen e radhës do të vlerësojë raportin e shqyrtimit paraprak të hetimit dhe të marrë vendim për këtë çështje.”
Siç mëson Express, deri më 15 shkurt pritet të mblidhen të dhënat e nevojshme, ndërkaq, janë duke kërkuar nga autoritetet e rajonit që t’i informojnë se si është rregulluar puna e çmimeve.
Express nga fillimi kishte raportuar për gjendjen me çmimet e naftës, duke shkruar se ka dyshime se në mes të ndërmarrjeve të fshehtë për mbajtjen e çmimeve mbi nivel.
Në këtë periudhë në botë, çmimi mesatar i naftës është 1 dollarë për litër, ndërkaq, Kosova po figuron në vendet ku për një litër naftë paguhet më së shumti./Express