Në letrën e fundit drejtuar presidentit amerikan Donald Trump, kreu i Kosovës Hashim Thaçi ka shprehur gatishmërinë për të bërë kompromise me shtetin serb në kuadër të fazës përfundimtare të procesit të dialogut. Analistët vlerësojnë se kjo do të prezantonte një dështim historik të Kosovës dhe do t’i arsyetonte 10 vjetët e refuzimit për njohje nga ana e Serbisë, shkruan Gazeta “Zëri”.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka thënë për “Zërin” se qëndrimi i fundit i presidentit se është i gatshëm të bëjë kompromise me Serbinë ka qenë i pritshëm.
“Ky president është mësuar me kompromise prej fillimit, prej 2006-s. Serbia tash po konteston çdo gjë pikërisht për shkak të kompromiseve që i ka bërë. Ai dje edhe një herë publikisht deklaroi se do të vazhdojë me kompromise, të cilat do ta dëmtojnë vendin natyrisht”, ka theksuar Kurteshi.
Një president i ndërgjegjshëm, sipas tij, nuk do të bënte në asnjë rrethanë kompromise për pavarësinë e një vendi. Rrjedhimisht deputeti i LVV-së ka konsideruar se Kosova do të humbasë shumë me logjikën e presidentit Thaçi.
“Marrëveshje të balancuar ka vetëm kur Serbia e pranon Kosovën shtet të pavarur dhe merremi vesh për plot çështje kontestuese, duke u bazuar në parimin e reciprocitetit. Krejt këto pazare që po i bën presidenti, po i shkojnë në llogari Serbisë, nuk janë të pranueshme”, ka theksuar ai.
Megjithëkëtë, deputeti i PSD-së, Salih Salihu, ka vlerësuar se askush nuk duhet të frikësohet nga një individ, pasi Kuvendi është ai i cili vendos në fund për çfarëdo marrëveshje.
“Në rast se Kosovës i kërkohet nga kushdo qoftë, qoftë nga ndonjë shtet i fuqishëm, por edhe nga Serbia, që të bëjë ndonjë kompromis, në fund do të vendosë Kuvendi i Kosovës”, ka theksuar ai.