Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, njëherësh bashkëkryesues i delegacionit shtetëror për bisedime me Serbinë, ka folur për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Limaj ka thënë se Kosova shkon në dialog për ta forcuar dhe konsoliduar vendin.
Ai thotë se askush nuk ka të drejtë e as mandat të diskutojë me Serbinë për çështjet të cilat cenojnë integritetin dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës.
“Ne si delegacion ose si ekip kemi mandat nga Kuvendi i Kosovës dhe nga rezoluta që është votuar. Mandat i yni është Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, ka thënë Limaj në një prononcim për “A2”.
I pyetur rreth taksës 100 për qind për produktet serbe, zëvendëskryeministri i Kosovës ka thënë se fillimisht duhet të pushojnë arsyet pse është vendosur kjo taksë.
“Taksa është një reagim nga një sjellje jonormale e Serbisë. Shpresoj që do të pushojnë arsyet për të cilat neve na kanë detyruar për të marrë këtë taksë dhe në momentin kur të pushojnë arsyet ne natyrisht që do ta shqyrtojmë këtë çështje”, ka thënë Limaj.