Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur një konferencë për medie ku ka folur për ekipin negociator dhe koalicionin qeverisës.
Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa ka thënë se koalicioni qeverisës është në panik të skajshëm.
“Ky koalicion nuk po arrin t’i mbajë premtimet që i ka dhënë. E ashtu quajtura Qeveri e madhe po i shëtit negociatat me Serbinë, nga kryeministri tek presidenti pastaj tek i ashtuquajtur grup negociator që nuk ka bazë Kushtetuese. Ky koalicion Qeverisës është në panik dhe e kanë kuptuar edhe votuesit e PDK-së, NISMA-së, AAK-së, edhe të atyre që janë pa mandat e kanë vjedhur votat”, ka thënë ai, raporton arbresh.info.
Sipas tij koalicioni qeverisës ka nisur një fushatë sulmi ndaj LDK-së.
“Ky koalicion Qeverisës ka kryeminsitrin, kryeparlamentarin, presidentin, pra udhëheqin të gjitha institucionet e vendit për të negociuar me secilin shtet sidomos Serbinë. Ata nga paniku kanë nisur një fushatë sulmi ndaj LDK-së. Këto lojëra për të hequr barrën nga vetja nuk i mashtrojnë as kalamajtë e mëhallës. Përgjegjësinë për ta udhëhequr shtetin e ka pushteti jo Opozita. Nuk na çudit fakti që na e lënë neve fajin, do të çuditeshim nëse na lëvdojnë. Ky koalicion dita ditës po shkatërron të ardhmen e qytetarëve tanë, duke mos arritur të mbajnë premtimet e tyre po sulmojnë LDK-në pasi që nuk kanë numrat për të qeverisur. Kanë dështuar në liberalizim, Interpol, vende pune. U ka dal veriu i vendit nga kontrolli dhe po e bëjnë gati t’ia dorëzojnë Serbisë. I kanë mashtruar qytetarët e Kosovës për kufirin me Malin eZi, kanë humbur njohje nga shtete tjera, kanë falimentuar kompani, e tani po e sulmojnë LDK-në. LDK ka qenë gjithmonë për dialog por duke mbrojtur shtetin me kufijtë e datës që është shpall pavarësia. LDK është për dialog ku Serbia e njeh Kosovën të pavarur e jo ku vendos mbi shtetësinë e Kosovës”, ka thënë ai duke shtuar se LDK nuk i bashkohet ekipit negociator.
“Ne nuk i bashkohemi një ekipi negociator pa mandat. Dialogun nuk mund ta udhëheqin parti, grupe e koalicione ku nuk e kanë shumicën në parlament. Duhet ta udhëheqin ata që kanë votën e qytetarëve. Andaj mirëpresim datën për shpalljen e zgjedhjeve”, shtoi ai./arbresh.info