Me akuza e kundër-akuza është përcjellë një deklaratë e nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri se PDK i ka bërë ofertë LDK-së për rrëzim të qeverisë Haradinaj, shkruan Gazeta Blic.
Së fundmi lidhur me deklaratat e Hazirit kanë reaguar dy nënkryetarët e PDK-së, Xhavit Haliti e Memli Krasniqi. Madje, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti ka thënë për Gazetën Blic se në asnjë takim ku ka marrë pjesë ai “nuk është diskutuar për një ofertë të tillë”. Kurse, Memli Krasniqi, deklaratat e Hazirit i ka quajtur si gënjeshtra të tij.
Por lidhur me këtë, analisti i çështjeve politike, Imer Mushkolaj po thotë se deri më tani nuk ka asgjë të re nga PDK. Kjo pasi, sipas tij, PDK kur ka parë që nuk po mund t’i dërgojë përpara agjendat e veta dhe të presidentit të vendit, Hashim Thaçi, është gatshme që edhe t’i ofrojë qeverisjen dikujt tjetër.
“Asgjë e re prej PDK-së, d.m.th PDK-ja vazhdimisht ka vazhduar në të njejtën formë ka bashkëqeverisë me një parti të caktuar ta zëmë me LDK-në dy herë ose tri më herët tashmë me AAK dhe tashmë kur e ka parë që nuk po mundet t’i qoj përpara zgjendat e veta në këtë rast edhe të presidentit, Thaçi, është e gatshme që ti ofrojë qeverisjen dikujt tjetër. Dhe në këtë rast nuk ka kujt përpos LDK-së dhe njësoj sikurse ia ka dhënë postin e kryeministrit AAK-së, mundet me ia ofru edhe LDK-së” tha Mushkolaj.
Mushkolaj në një bisedë për Gazetën Blic tha se tashmë çdo gjë varet nga LDK, nëse do të pranojë ofertën e PDK-së.
“Varet shumë edhe prej LDK-së a pranon ose jo për shkak se LDK ka bërë të qartë se së pari kërkon zgjedhje pastaj të shohë mundësinë e asaj, konfigurim të qeverisë . Por unë nuk e përjashtoj mundësinë që ndoshta varësisht prej ofertës edhe në këtë fazë LDK-ja bëhet pjesë e Qeverisë për shkak se nuk është hera e parë që LDK vepron kështu në kuptimin që ka thënë se nuk do të jetë pjesë me PDK-në e me SHIK-un etj, ndërkohë që ka një moment që ka vendosë. Por kjo varet krejt prej ofertës por edhe prej presionit ndërkombëtarë. Nëse njëmend LDK-së i është bërë e ditur që nuk ka zgjedhje para se të arrihet marrëveshja me Serbinë atëherë kjo do të ishte mundësia e vetme e LDK-së që ta marrë udhëheqjen e qeverisë ose të jetë pjesë e dioalogut, të ketë përgjegjësi” tha ai.
Tutje, Mushkolaj shtoi se se nëse vendoi do të shkojë në zgjedhje para marrëveshjes me Serbinë, atëherë LDK nuk do të bëhet pjesë e Qeverisë.
“Nëse ekziston mundësia që të shkohet në zgjedhje shpejt, e kjo i bjen që nëse ka zgjedhje para arritjes së marrëveshjes me Serbinë atëherë LDK- nuk do të marrë pjesë. Por prapë e them që është strategji e PDK-së dhe presidentit Thaçi që ti qojnë përpara agjendat e veta pa marrë parasysh çmimin” përfundoi ai.
Ndryshe, gjatë ditës nga partia e AAK-së për Gazetën Blic kanë thënë se nuk ia kanë frikën një oferte të tillë duke shtuar se deri më tani mes koalicionit qeverisës PANA çdo gjë është duke shkuar mirë./Gazeta Blic