Vitin e Ri brenda katër mureve e kanë pritur shumë të burgossur në qendrat e korrektimit në Kosovë.
Por, ka pasur edhe të tillë që ndërrimin e motmoteve e kanë pritur në gjirin familjar pasi janë liruar me kusht.
Një rast i tillë është edhe me të riun prizrenas me inicialet A.Sh., i cili për tri vjet Vitin e Ri e kishte pritur prapa grilave, shkaku i vjedhjeve.
Megjithatë, në saje të sjelljes për t’u marrë shembull, ai është liruar nga burgu i Dubravës me kusht që mos të bëjë vepra të dënuara me ligj.
Ai në një intervistë për Telegrafin tregon se si është të presësh ndërrimin e viteve brenda qendrave të burgimit në vendin tonë.
“Pritja e vitit të Ri në burg nuk është aspak e këndshme. Pritet prapa grilave në qeli me të burgosurit e tjerë të dhomës. Në ora 20:00 të mbrëmjes ndalen dritat dhe ndërrimin e viteve e kalojmë në terr. Nuk ka ndonjë organizim prej shërbimeve korrektuese”, ka thënë fillimisht ai.
A.Sh. më tutje thotë se nuk do t’ia dëshironte askujt që ndërrimin e viteve ta kalonte brenda katër mureve.
“Është një ndjenjë që nuk mund ta përshkruaj kur e mendon se të gjithë festojnë gjersa ne duhet të festojmë prapa hekurave. Nuk do të dëshiroja ta shihja askënd të festoj larg familjes dhe miqve. Nuk ka më keq se të festosh i privuar prej lirisë”, ka pohuar ai.
Megjithatë, i liruari me kusht tregon se ndihet i kënaqur dhe falënderues që sërish ka festuar Vitin e Ri mes të dashurve.
“Normalisht se është ndjenjë e mirë kur pranë teje qëndrojnë familjarët dhe miqtë. Është një dallim i madh të festosh në terr e brenda katër mureve si dhe asaj që çdokush është i gëzuar dhe i lumtur që po e presin një vit më të mirë”, tha A.Sh.
Për fund, prizrenasi ka dhënë një mesazh për të gjithë ata që mendojnë të bëjnë ndonjë krim.
“Mendoni mirë para se të bëni ndonjë krim. Ju presin ditë të gjata dhe të vetmuara në burg. Të burgosurit e kanë një thënie, ‘Edhe Zoti të harron’. Pra, më mirë një njeri në liri dhe jetë dinjitoze, se sa i burgosur dhe i njollosur për tërë jetën”, përfundoi ai.