Shkuarja e sotme në Hagë e disa pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka ngjallur reagime të shumta nga udhëheqës e liderë institucionesh.
Anëtari i Familjes Jashari, njëherësh edhe kryetar i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka dhënë mbështetjen e plotë për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, transmeton gazeta online veriu.info.
Sipas Jasharit sa herë që është folur dhe shkruar, është dëshmuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – e shenjtë për popullin shqiptar, ka qenë e drejtë.
Ai ka shprehur bindjen e plotë se si çdo sfidë tjetër që është tejkaluar, edhe kjo do të tejkalohet, si në rastin e gjeneralëve Sami Lushtaku e Rrustem Mustafa, dhe të tjerëve.
Ky është postimi i plotë i Bekim Jasharit:
Gjithmonë në mbështetje të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Sa herë që është folur dhe shkruar, është dëshmuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – e shenjtë për popullin shqiptar, ka qenë e drejtë.
Edhe gjykimet madje kanë nxjerr pastërtinë e luftës së drejtë të popullit shqiptar.
Në çfarëdo aspekti që gjykohet lufta e shenjtë për lirinë e popullit tonë të vuajtur me shekuj, nga pushtuesi më barbarë që ka njohur historia e njerëzimit, secili luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa asnjë mëdyshje, do ta ketë mbështetjen time dhe të mbarë popullit shqiptar.
Si çdo sfidë tjetër që është tejkaluar, edhe kjo do të jetë tejkaluar, si në rastin e gjeneralëve Sami Lushtaku e Rrustem Mustafa, dhe të tjerëve.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës krenaria jonë!