SBASHK-u nuk e ka ndërmend ta ndalë grevën, pavarësisht thirrjeve të shumta nga MASHT-i që të zhbllokohet situata në arsim.
Thirrja e fundit drejtuar SBASHK-ut, ishte ajo e ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqri Bytyqi. I cili gjatë ditës së sotme, tha që greva duhet të ndërpritet dhe të nxënësit t’i kthehen mësimit më së largu ditën e hënë. Po ashtu ai i ka cilësuar kërkesat e SBASHK-ut, si ekstreme.
Por, kjo thirrje e ministrit nuk po i bënë aspak përshtypje kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharajt. Ai për “Gazeta Blic”, ka thënë që ministri është mirë të angazhohet sa më shumë që kërkesat e SBASHK-ut të realizohen. Sepse për greve ai nuk vendos se kur do të ndalet.
“Ministri Bytyqi, është mirë që të angazhohet bashkë më SBASHK-un, që të realizohen kërkesat. Sa i përket grevës as ministri dhe askush tjetër nuk mund ti ndalë. Ato i ka shpallur Këshilli Drejtues i SBASHK-ut bashkë më kryetarin e niveleve komunale të Universitetit dhe vetëm ata janë që mund të veprojnë ndryshe”, tha Jasharaj për Gazeta Blic.
Ai ritheksoi, se Këshilli Drejtues i SBASHK-ut do t’i ndalë grevat vetëm atëherë kur do të plotësohen kërkesat e tyre. Që parashohin ngritjen e koeficientit në 3o për qind.
“Vetëm Këshilli Drejtues i SBASHK-ut do t’i ndalë grevat, dhe kjo do të ndodhë atëherë kur realizohen kërkesat tona, ku do të ndodhë ngritja e koeficienteve 30 për qind në tërë sistemin arsimor. Nëse kjo nuk do të ndodhë grevat do të vazhdojë edhe nesër edhe ditëve tjera deri në ngritjen e koeficienteve”, përfundoi ai.
Greva në arsim ka filluar që nga 14 janari. Bazuar në të dhënat zyrtare në Kosovë, rreth 370 mijë është numri i nxënësve në institucionet e arsimit parauniversitar, kurse 110 mijë është numri i përgjithshëm i studentëve. Ndërkaq numri i mësimdhënësve në nivel vendi llogaritet të jetë rreth 23 mijë./Gazeta Blic./