Janjiq ka thënë për agjencinë serbe Beta, se me deklaratën e Putinit se Rusia do ta respektojë Rezolutën 1244 mund të pasqyrohet vetëm një lloj i status quos, dhe se ky qëndrim nuk i ndihmon shumë Serbisë nëse dëshiron të ndryshojë diçka.
“Thirrja në Rezolutën 1244 flet se bëhet fjalë vetëm për paralajmërimin se pa Rusinë nuk mund të vendoset dhe se derisa nuk arrihen marrëveshjet të cilat i përgjigjen asaj, Rusia do ta frenojë këtë çështje në Këshillin e Sigurimit”, ka thënë Janjiq.
Ai ka shtuar se Rezoluta 1244 është “një tregim ideologjik shumë i mirë”, por se situata në terren është ashtu që ai territor është nën kontroll të NATO-s, dhe se juridikisht, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit Beogradi deri diku e ka legalizuar sovranitetin e Kosovës.
Ai ka vlerësuar se Rusia nuk mund të bëjë asgjë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, se Serbia është e përjashtuar në terren, dhe se mbetet vetëm të kapet për “fjalët” nga Rezoluta.
“Situata është më e keqe sesa në kohën kur Vojisllav Koshtunica dhe Boris Tadiq i janë drejtuar Rusisë të vendosë veto, më e keqe për interesat e Serbisë nëse është interesi i saj që Kosova të mbetet në Serbi apo të mbahet konflikti i ngrirë për një kohë të gjatë”, ka thënë Janjiq.
“Mendoj se tash e tutje vet Putini do të bëjë tregti me Trumpin dhe se nga kjo vizitë në Beograd nuk mund të nxjerrë shumë, por se do të duhet ta ndryshojë politikën edhe atë supozoj në atë drejtim që do të jetë shumë e dhimbshme për Serbinë, ka thënë Janjiq.
Ai ka shtuar se vlerësimi i Putinit se krijimi i Ushtrisë së Kosovës është një akt joserioz, vetëm një mesazh politik.
“Pas kësaj nuk pason kurrfarë aktiviteti. Putini nuk ka dalë për asgjë nga korniza e inkurajimit publik për politikën serbe, nëse kjo është pritur nga ai, e është e qartë se është pritur sipas deklaratave të Vuçiqit dhe Daçiqit”, ka thënë ai.
Janjiq ka thënë se Putin kurrë nuk do t’i jep instruksione të sakta kryetarit serb Vuçiq se çfarë të bëjë, por se do ta përdorë taktikën “gjendu shok, e unë do të ndihmoj”.
“Kjo është porosia, ne ju përkrahim, mirëpo ne do të vendosim për vendin e Kosovës në KB”, ka thënë Janjiq./Insajderi.com.