Kongresisti amerikan, Max Rose, ka zgjedhur imamin shqiptar, Tahir Kukaj, për të ofruar lutjen me rastin e inaugurimit të tij.
“Sot ishte një ditë e madhe. Isha i nderuar dhe i privilegjuar që të jap bekimin për këtë kongresist”, ka thënë Kukaj.
Ceremonia e inaugurimit është zhvilluar në Teatrin e famshëm “Saint George”, në Staten Island të Nju Jorkut, shkruan AktivPress.
Para dy vjetësh, Kukaj ishte ftuar edhe nga kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio, për ta bekuar linjën e re të tragetit që transporton njujorkezët çdo ditë nga Beach Channel Drive dhe Beach 108th Street, në Rockaway Park.
“Ishte një nder dhe një privilegj që mora pjesë bashkë me kryebashkiakun de Blasio dhe zyrtarë të tjerë të zgjedhur në hapjen e madhe të Linjës me Anije në Rockway dhe që të thoja me këtë rast fjalë bekuese për udhëtimin e parë…”, pati thënë imami Kukaj pas ceremonisë.
Vitin e kaluar, po ky imam, siç shkruan AktivPress, është renditur në mesin e 100 personaliteteve më me ndikim në Staten Island të Nju Jorkut.
Ai konsiderohet si një udhëheqës ndërfetar që ka bërë një karrierë të bujshme duke ndërtuar ura të mirëbesimit mes popujve dhe etnive me religjione të ndryshme. I lindur në fshatin Terstenikë të Drenasit, imami Kukaj ka shkuar në Staten Island në vitin 2002 për të drejtuar Shkollën Islame Miraj.
Atje ai është bërë edhe udhëheqës i Qendrës Kulturore Islamike Shqiptare.
Kukaj, tash e 15 vjet njihet për programin e veçantë të tij pasi një herë në vit organizon një takim ku zhvillohet dialog mes komunitetit katolik dhe atij mysliman, e që përfundon me një dark të përbashkët.
Në vijim mund ta lexoni tekstin e Lutjes që ka bërë Imami Tahir Kukaj:
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit,
I lavdëruar qoftë Allahu / Zoti i gjithësisë, Kujdestari dhe Mbështetësi i botës. Zoti i jetës, Mjeshtri i Ditës së Gjykimit.
Vetëm Ty të adhurojmë dhe tek Ti ndihmë kërkojmë. Udhëzona në rrugën e sigurt dhe te drejtë.
Zoti i gjithçka je që ekziston në Librin e Tij thotë: Ai nuk ju jep përgjegjësi më të madhe se sa ju mund të mbani atë.
Le t’i lutemi Perëndisë së Plotfuqishëm që të na bekojë të gjithëve sot, ndërsa po fillojmë një vit të ri plot shpresë për një të ardhme më të mirë për qytetin tonë dhe vendin tonë.
Perëndia i Plotfuqishëm, bekoje këtë tubim tonin, bekoje kongresistin tonë të nderuar Max Rose dhe familjen e tij dhe stafin e tij dhe ata që e ndihmuan atë në rrugën e tij drejt Kongresit.
Zoti ynë, në këtë kohë të historisë tonë, sfidat me të cilat përballet kombi jonë dhe bota në përgjithësi janë të mëdha dhe të shumta. O Perëndi jepi kongresistit Max Rose mençuri, udhëzim dhe forcë për të realizuar aspiratat e tij me pasion, drejtësi dhe gjykimin e shëndoshë.
O Zot, ti ke vendosur një përgjegjësi dhe nder të madh ndaj kongresistit Max Rose, ju lutemi ndihmoni atë dhe ndihmoni anëtarët e Kongresit dhe zyrtarët e tjerë të zgjedhur në vendin tonë me udhëzimet dhe dritën tuaj. O Perëndi e Plotfuqishme, përmirëso mirëqenien e të gjithë banorëve të këtij kombi të madh dhe më gjerë.
Zoti bekoftë kongresistin tonë Max Rose dhe Zoti bekoftë SHBA.