Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kosovës, ka thënë se siç duket situata parlamentare në Kosovë do të vazhdojë me avazin e vjetër.
Hoti ka thënë se kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i PDK’së, Kadri Veseli po ia krijon përshtypjen që qëllimisht po zhagitë disa prej çështjeve më të rëndësishme të vendit.“Sapo e mbaruam mbledhjen ku shqyrtuam çështjet që janë me urgjencë. Do të vazhdojë avazi i vjetër, kur të gjitha seancat e hapura kanë mbetur ashtu. 64 pika të rendita për seancat e radhës, po krijohen me qëllim që të zhagiten këto çështje”, ka thënë Hoti.
Sipas tij, Veseli po i bën qëllimisht këto çështje.Madje, ai thotë se në këtë mbledhje të Kryesisë, Veseli nuk shqyrtoi fare çështjet e krizës në shëndetësi e arsim.“Kjo ishte mbledhja e parë, dhe kryetari i Kuvendit e PDK-së nuk e shqyrtoi fare çështjen e krizës në shëndetësi e arsim, e me paralajmërimet që mund të ketë greva edhe nga shërbyesit civil. S’po marrin përgjegjësi. Pavarësisht që i kanë lënë në shtëpi qindra mijëra nxënës. Edhe me greva të minatorëve po ndodh e njëjta gjë, shkak për këtë janë punësimet pa kritere. As mjekët nuk mund t’i mbajnë me premtime boshe. E kanë fut vendin në krizë, do të kërkojmë përgjegjësi për këto çështje”, tha tutje Hoti.
Edhe njëherë ai kritikoi ekipin negociator.“Ky ekip negociator nuk përfaqëson askënd, përveç grupeve të vogla politike. Po japim kontributin tonë duke e mbikëqyrur procesin”, përfundoi ai.