Mjeti më i madh fluturues në botë, i quajtur “Airlander 10”, është hequr nga përdorimi pas një procesi që nuk u zhvillua sipas planit, ndërsa inxhinierët kanë thënë se do ta shqyrtojnë ndërtimin e një modeli të ri.
Kompania “Hybrid Air Vehicles”, e cila e ka ndërtuar këtë mjet transporti, tashmë e ka marrë mbështetjen e Autoritetit Civil të Aviacionit për projektin e ardhshëm dhe shpreson se pajisja e re do të ngritet në qiell pas pak vjetëve. “Qëllimi ynë është që ta sjellim mjetin standard që do të shërbejë për klientët”, tha Stephen McGlennan, shef i kësaj kompanie.
LEXO EDHE: Sa kushton larja e një aeroplani dhe sa herë në vit lahen ata?
“Ky prototip e ka përmbushur qëllimin për ndërtimin e mjetit të parë hibrid, duke na ofruar të dhëna të nevojshme për të vazhduar me modelin standard. Rrjedhimisht, ne nuk planifikojmë ta dërgojmë në qiell këtë prototip sërish”, shtoi ai. “Airlander 10” i ka bërë gjashtë fluturime testuese, disa prej të cilave nuk kanë shkuar si duhet.
Ky mjet fluturues ishte aksidentuar në vitin 2016 gjatë realizimit të fluturimit të dytë testues pas një udhëtimi të suksesshëm prej 30 minutave. Kompania ka deklaruar se planifikon të mos ndërtojë prototipe tjera, por ta fillojë prodhimin e mjeteve për shitje, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.